E Diel, 1 Nëntor 2026

PS tërhiqet nga konsensusi, nuk miraton Kodet

SHKRUAN: Sabina Veizaj 16-09-2011 11:30

Blendi Klosi: “A ka ndonjë politikë a masë të cilat sjellin një politikë të re për rrugët e Shqipërisë, të cilat janë kthyer në një masakër të vërtetë? A kanë këto kode penalizime, represion mbi kompanitë që ndërtojnë rrugët e Shqipërisë? Mungon sinjalistika, bëhen aksidente vdekjeprurëse. Po flasim për të gjitha kodet. Po diskutojmë kodin hekurudhor, nuk ka hekurudha”.

TIRANË Angazhimi i opozitës për të miratuar draftet me shumicë të cilësuar ka mbetur vetëm në kufijtë e deklaratave. Ndryshe nga dy ditë më parë, ku PS-ja ofroi konsensusin për Kodin Rrugor, dje në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, anëtarët e opozitës kanë qenë kundër miratimit të tre kodeve të tjera, po aq të rëndësishme si Kodi Hekurudhor, Ajror dhe Detar. Deputeti socialist Blendi Klosi në emër të opozitës deklaroi dje gjatë mbledhjes së komisionit se në parim është kundër diskutimeve dhe miratimit të kodeve, duke qenë se, sipas tij, ky është një miratim formal që nuk sjell asnjë politikë të re për sigurinë dhe mbrojtjen e qytetarëve. “Ndryshimet në kod vijnë sa për të rregulluar formalisht, apo vijnë nga grupet e interesit? A ka ndonjë politikë a masë të cilat sjellin një politikë të re për rrugët e Shqipërisë, të cilat janë kthyer në një masakër të vërtetë? A kanë këto kode penalizime, represion mbi kompanitë që ndërtojnë rrugët e Shqipërisë? Mungon sinjalistika, bëhen aksidente vdekjeprurëse. Po flasim për të gjitha kodet. Po diskutojmë kodin hekurudhor, nuk ka hekurudha”- u shpreh deputeti socialist Blendi Klosi. Nga ana e tij, kreu i komisionit, Jemin Gjana, sqaroi se ndërhyrjet në kode janë bërë vetëm për të përputhur të tre kodet dhe për t’i përshtatur me ligjin për licencat. “Ndryshimet në kod nuk vijnë në emër të qytetarëve. Ka ardhur koha që në fushën e transporteve të ketë politika të reja në mbrojtje të qytetarëve. Opozita do të reagojë për të prodhuar politikë mbrojtëse për qytetarët që çdo ditë po humbin jetën nëpër aksidente makabre në rrugët e Shqipërisë”- ndërhyri sërish deputeti Klosi. Nga ana e tyre, përfaqësues të Ministrisë së Transporteve sqaruan se hekurudhat shqiptare vërtet nuk janë në standardet e duhura, por funksionojnë. Përsa i përket Kodit Detar, ndryshimet kanë të bëjnë me ekskluzivitetin e flamurit shqiptar dhe shtetësinë e kapitenit. Sipas ndryshimeve të bëra, në kuadër të integrimit në Bashkimin Europian, të gjitha anijet me flamur të BE-së mund të lundrojnë në të gjitha portet shqiptare. Sipas relatorit të këtij projektligji, deputetit Osman Metalla, ky rregullim ligjor ndihmon edhe pronarët shqiptarë. Duke iu referuar projektligjit, të gjithë shtetasit e huaj që kanë pronë një anije, të cilët zotërojnë dokumentet ligjore përkatëse mund të imbarkohen në anijet që mbajnë flamurin shqiptar. Deputeti i PS-së, Artan Gaci, kërkoi që të përfshiheshin dhe shtetasit kosovarë, por kjo sipas mazhorancës është e kuptueshme, pasi ata kanë të drejtë të aplikojnë për shtetësi shqiptare. Gjithsesi, pavarësisht diskutimeve, mazhoranca i kaloi dje përmbajtjet e kodeve vetëm me votat e saj, duke mos marrë miratimin e deputetëve të opozitës, vota e të cilëve është e domosdoshme për kalimin e tyre në Kuvend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›