E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistrimi, Berisha kritika Spahiut: Po keqpërdor detyrën që mban

Kryeministri Berisha a ka etiketuar aleancën “Kuq e Zi” si “lëvizja faqezi”. Ndërsa ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, ka deklaruar se ky është viti i censusit: “Në të gjithë botën dhe në të gjitha vendet, po kryhet ky proces. Të gjithë duhet t'i përgjigjen pyetjes se sa veta jemi"

TIRANË Në inaugurimin e qendrës së përpunimit të të dhënave të censusit të popullsisë dhe banesave në ambientet e INSTAT-it kryeministri Sali Berisha ka thumbuar sërish aleancën “Kuq e Zi”, duke shtuar se shqiptarët do t’i nënshtrohen regjistrimit, si qytetarë të lirë në dëshmitë e tyre për përkatësinë etnike dhe besimin fetar. “Disa qëndrime të përshtatura nga grupet ndaj regjistrimit janë atavike. Dua të theksoj këtu, se në një shoqëri të lirë, grupet, njerëzit, organizatat kanë të drejtë të kenë qëndrimet e tyre. Kanë të drejtë t’i shpallin ato pa asnjë lloj kufizimi, por kur këtë e bëjnë institucionet, të cilat në ligjin dhe Kushtetutën e vendit janë të depolitizuara, kjo lëvizje nuk mund të quhet ndryshe veçse “lëvizja faqezi”. Pra, nuk kam asgjë me mendimet e tyre atavike, sepse ato, jam i bindur se nuk ua dëgjojnë as anëtarët e familjeve të tyre, lerë më ato që janë jashtë pragut të derës”, - tha dje Berisha. Por, Kryeministri shtoi se ajo që e shqetësonte më shumë ishte keqpërdorimi i detyrës, duke atakuar në këtë rast nënkryetarin e KLD-së, Kreshnik Spahiu, i cili drejton lëvizjen “Kuq e Zi”. “...Ajo që mua më shqetëson dhe i bëj ketë etiketim është fakti se ata keqpërdorin detyrën e lartë shtetërore për qëllime meskine personale”, - tha ai. Kryeministri Berisha ka falenderuar gjithashtu edhe mbështetjen që ka dhënë Komisioni Europian për realizimin e këtij procesi. Nga ana e tij, kryetari i delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Ettore Sequi, i pranishëm në këtë ceremoni, ka kërkuar që shifrat të jenë reale dhe sa më objektive, pasi nga këto shifra varen shumë vendimmarrje. Sipas ambasadorit, të dhënat dhe statistikat zyrtare luajnë një rol thelbësor në shoqërinë e sotme. "Statistikat dhe informacionet e paanshme janë thelbësore për vendimmarrësit, po ashtu janë baza e transparencës së vendimeve politike dhe përfaqësojnë një të mirë publike për funksionimin e duhur të shoqërisë", - tha Sequi në ceremoninë e përurimit të qendrës së skanimit dhe përpunimit të të dhënave të censusit. Ambasadori i BE-së shtoi se nëpërmjet këtij procesi të gjitha institucioneve do t'u mund t'u referohen informacione statistikore më të mira. Sequi tha se që nga viti 2006 BE-ja ka caktuar 10 milionë euro për statistikat në Shqipëri, ndaj kërkesa kryesore ndaj Shqipërisë në këtë rast është të aplikojë standarde dhe të japë shifra të sakta. “Për arsye se statistikat kombëtare luajnë rol të rëndësishëm dhe në vendimmarrje, sidomos kur janë objektive, po ashtu për arsye se infot dhe statistikat janë baza e transparencës dhe të dhënave zyrtare dhe luajnë rol në statistikat e tjera të Shqipërisë. Ne mendojmë se të dhënat cilësore sigurojnë që vendimet publike të jenë të sakta e të kujdesshme në analiza. Kjo është arsyeja që BE-ja po investon për statistikat në Shqipëri”, - tha ai. Sequi theksoi se ky është viti i censusit. "Në të gjithë botën dhe në të gjitha vendet, po kryhet ky proces. Të gjithë duhet t'i përgjigjen pyetjes se sa veta jemi",- tha Sequi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›