E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ shpërndan mandatet për këshillat e komunave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të bëjë shpërndarjen e mandateve për një sërë komunash, ku duket se të djathtët janë në shumicë. Kështu KQZ do të vendos sot për shpërndarjen e mandateve për këshillin e Komuna Mollas-Kolonjë, Qarku Korçë. Në bazë të nenit 162, pika 1, përjashtohen nga shpërndarja e mandateve partitë që konkurrojnë më vete e që kanë marrë më pak se 3 për qind dhe koalicionet që kanë marrë më pak se 5 për qind të votave të vlefshme në zonën zgjedhore përkatëse. Subjektet që plotësojnë kushtin për t’u përfshirë në përllogaritjen e shpërndarjes së mandateve për këshillin e kësaj komune janë “Aleanca për Qytetarin” me 68.16 për qind të votave dhe “Aleanca për të Ardhmen” me 31.84 për qind. E përkthyer në mandate, dy koalicionet do të përfaqësohen në raportet 9 dhe 4 anëtarë në këshill. Gjithashtu KQZ do të bëjë dhe shpërndarjen e mandateve për këshillin e Komuna Pishaj, Qarku Elbasan. Edhe në këtë komunë koalicioni qeveritar Aleanca për Qytetarin kryeson me 53 për qind të votave kundrejt 40 për qind të votave që ka marrë koalicioni opozitar Aleanca për të Ardhmen. Në këtë komunë mirë ka dalë edhe PBDNJ, që ka mundur të marrë 4.3 për qind të votave, por ma mundur të sigurojë dot një mandat. Dy koalicionet do të përfaqësohen në këshill me 9 dhe 6 anëtarë, në favor të koalicionit të djathtë. Në mbledhjen e sotme do të ndahen edhe mandatet e komunës Shllak të qarkut të Shkodrës, ku koalicioni Aleanca për Qytetarin ka marrë rreth 66 për qind të votave, ndërsa koalicioni kundërshtar Aleanca për të Ardhmen vetëm 34 për qind. Për rrjedhojë, edhe në këtë komunë e djathta do të ketë shumicën në Këshill, pasi do të përfaqësohet me 9 anëtarë, ndërkohë që opozita vetëm me 4.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›