PS ulet sot në Kuvend, bën betimin dhe dorëzon dy drafte

Deputetët e Partisë Socialiste do të hyjnë sot në Kuvend për herë të parë pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Përveç procedurës së bërjes së betimit, ata do të dorëzojë dy nisma ligjore dhe do të dalin sërish për të vijuar bojkotin. Kthimi i grupit parlamentar në seancë varet nga vullneti i mazhorancës për të miratuar dy nismat ligjore të saj. Menjëherë pas vendimit të marrë në grup, deputetët socialistë kanë nisur të firmosin nismat ligjore për t’i dorëzuar sot në sekretarinë e Kuvendit. Nisma e parë ka të bëjë me projektin e paralajmëruar disa muaj më parë për hapjen e kutive të votimit dhe garantimit të transparencës së zgjedhjeve. Grupi parlamentar do të kërkojë sot përmes një nisme të dytë që ligji mbi komisionet hetimore të ndryshojë. Aktualisht ligji parashikon që kreun e komisioneve hetimore e ka mazhoranca, ndërsa selia rozë do kërkojë që të votohet një ndryshim ku të sanksionohet qartë se shumicën do ta ketë pala kërkuese ashtu sikurse edhe drejtimin. “Kur kërkova votën e socialistëve në të gjithë Shqipërinë për ta udhëhequr këtë betejë, nuk e mendoja se në më pak se gjashtë muaj do të arrinim kaq shumë”, tha Rama. Kjo kauzë, tha ai, nuk është më vetëm kauza e 93% të socialistëve që me kurajë panë larg dhe votuan për bojkotin e për protestat, po e një populli të tërë që kërkon transparencën e zgjedhjeve. “Në më pak se gjashtë muaj, refuzimi ynë për t’u bërë pjesë e një Parlamenti fasadë që fsheh një krim elektoral, ka nxjerrë në pah plotësisht krizën e demokracisë në Shqipëri. Kjo krizë nuk i ka rrënjët te mungesa jonë në Parlament, po te zgjedhjet e grabitura dhe te ky Parlament që prej gjashtë muajsh ndalon transparencën”, nënvizoi Rama. Detyra jonë, u shpreh ai, është ta ushtrojmë këtë vullnet të shqiptarëve duke mos bërë asnjë hap mbrapa dhe duke bërë gjithçka kemi në dorë. “Ky pushtet dëshiron shumë që fati i mandateve të popullit opozitar të mbetet në duart e vetë Saliut, Ilirit dhe Fatosit bashkë, për ta eksportuar m’u në zemrën e opozitës, te grupi i saj parlamentar krizën e rëndë të legjitimitetit të pushtetit”, insistoi Rama. Kanë 6 muaj, vijoi ai, që na provokojnë me gjithfarë mënyrash, me shpresën e mjerë se ne mund të hyjmë me këmbët tona në një rrugë pa krye, ku fatin e mandateve të opozitës nuk e ka më në dorë populli që na mbështet, por forcat e së vjetrës që janë bërë bashkë për të ndalur përpjekjen tonë të pandalshme drejt zbardhjes së krimit elektoral. “Në rast se pushteti nuk do të dëgjojë zërin e arsyes sonë, marsi nuk mund e nuk do të jetë muaji i lojës e ka kush e ka të Saliut, Ilirit dhe Fatosit me mandatet e popullit opozitar, por muaji i ngritjes së opozitës popullore në një valë proteste, e cila nuk do të zmbrapset deri në realizimin e qëllimit tonë të patjetërsueshëm, për transparencën e plotë dhe pa kushte të zgjedhjeve”, premtoi Rama. Kemi gati çelësin, tha ai, që hap derën e kthimit të opozitës në Parlament, duke i hapur rrugën transparencës së plotë. “Nesër do t’ia lëmë publikisht në dorë Sali Berishës. I takon shumicës në sallë të vendosë paskëtaj nëse e do edhe opozitën në sallë apo e do bashkë me popullin në rrugë, deri kur në këtë vend të rivendoset një e drejtë që ne nuk kemi ndërmend ta lëmë peng për asnjë arsye në botë”, theksoi Rama.
Kur populli të shikojë së shpejti se ç’mandat ka humbur ky pushtet zgjedhjevjedhësish në Ruzhdie, tha ai, jam i bindur se edhe vetë Saliu do ta kuptojë se shanset për t’i mbajtur kutitë të mbyllura me pahir janë po aq të mëdha sa shanset për të mbuluar diellin me vendim qeverie.
#