Rimbursimi, vetëm një ilaç mondan për listën e re
Miratohet lista e re e barnave me rimbursim. Dje, Këshilli i Ministrave ka aprovuar kalimin e projektligjit për listën e barnave me rimbursim. Bëhet fjalë për 400 barna, 17 prej të cilave janë medikamente të reja të përfshira në listë.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, këtë vit, një nga barnat “luksoze” të kësaj liste është insulina analoge, preparat ky që përdoret nga pacientët e sëmurë më diabet. Po ashtu, disa prej preparateve të reja do të përdoren për gratë në menopauzë, antimykotikë si dhe barna për sëmundjet e mushkërive.
Ka mbetur i pandryshuar marzhi i tregtimit të barnave me rimbursim, me pakicë apo shumicë. Marzhi i miratuar edhe për këtë vit është i njëjti me vitin 2008 dhe 2009, edhe pse rritja e çmimit të euros dhe dollarit në tregun e valutës është rritur ndjeshëm.
Lista e re“Lista e re e barnave të rimbursueshme është pasuruar me 17 barna të reja, nga të cilat disa formëdoza barnash që trajtojnë sëmundje kronike, duke krijuar mundësinë e një dozimi më të mirë dhe më të përshtatshëm për pacientët. Këto barna përdoren për mjekimin e anemisë në insuficiencën renale kronike, diabetit, sëmundjeve pulmonare, apo dhe të tumoreve”, u shpreh drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana.
Sipas saj, me këto barna do të trajtohen kryesisht kategoritë si fëmijët, gratë, invalidët dhe pensionistët. Kjo listë do të kushtojë rreth 5.5 miliardë lekë të reja për periudhën njëvjeçare, nga të cilat barnat e reja kushtojnë 131 milionë lekë.
Sipas ISKSH-së, sa i takon barnave të reja, ka një rritje prej 2.4% në raport me totalin e shpenzimeve.
Hana theksoi se ka përmirësim për trajtimin me medikamente të rimbursueshme për kategorinë e grave, të cilat sot kanë një vëmendje më të madhe.
Barnat e reja kanë kompliancë më të mirë dhe përdorim më të përshtatshëm për të sëmurët kronikë.
Në grupin e alternativa mjekuese dhe kombinime të reja të barnave të listës përfshihen barna me veprim antikoagulante, antibiotikë me përdorim pediatrik, antiinfektivë dhe antiseptikë gjinekologjikë. Pjesë e listës së barnave për këtë vit është edhe insulina e re analoge, duke e plotësuar më mirë këtë grup barnash.
Nga kombinimet e barnave ekzistuese të listës janë përfshirë në këtë listë disa kombinime barnash me përdorim kryesisht në pneumologji dhe gjinekologji, të cilat realizojnë mundësi më të mira të mjekimit për sëmundjet respiratore dhe gjinekologjike.
VendimiSipas qeverisë, masa e mbulimit të çmimeve të barnave, të përfshira në listën e barnave që rimbursohen, sipas klasifikimit ATC, të jetë nga 50 për qind deri në 100 për qind, sipas grupeve terapeutike dhe barnave, të përcaktuara.
Masa e mbulimit të çmimit të barnave, për alternativën e parë në listën e barnave të rimbursueshme, për kategorinë e pensionistëve, do të jetë 100 për qind.
Qeveria aprovoi dje miratimin e marzheve të diferencuara të tregtimit, përkatësisht në masën 12 për qind, për tregtimin me shumicë, dhe 29 për qind, për tregtimin me pakicë, si dhe marzhet e diferencuara të tregtimit me shumicë e pakicë të disa barnave të listës.
#