E Diel, 1 Nëntor 2026

Marshimi i ujit nuk ndalet, banorët braktisin Nënshkodrën

Përmbytja po ndjek të njëjtën rrugë të janarit të këtij viti

Nënshkodra ka nisur të mbulohet sërish frikshëm nga uji. Pas Obotit, përmbytja ka nisur në fshatrat e Komunës Dajç. Problematike duket gjendja në fshatin Darragjat që ndodhet buzë lumit Buna. Prurjet e lumit kanë kaluar argjinaturën mbrojtëse dhe uji po depërton në brendësi të fushës së Nënshkodrës. Aktualisht janë me mijëra hektarë tokë nën ujë dhe në disa zona uji kërcënon banesat. Në këto kushte, banorët ndihen të frikësuar, madje një pjesë ka nisur evakuimin e bagëtive dhe bazës ushqimore.

Një nga banorët e Darragjatit, Arben Noshi, i cili ka vendosur ta lërë fshatin nga frika e përmbytjes, thotë: “Kam frikë të qëndroj në shtëpi. U përmbyta me 3 metra ujë një muaj më parë dhe nuk dua të rrezikoj më. Fëmijët i kam dërguar te kushërinjtë, ndërsa vetë me gruan kemi marrë lopën e po ikim në Berdicë, te të afërmit. Uji sa po vjen e shtohet gjithnjë e më shumë dhe është me rrezik të qëndrojmë. Aktualisht e kemi shtëpinë të rrethuar nga uji, kështu u përmbytëm dhe herën e parë dhe kështu më duket se tani po përmbytemi sërish. Këtë herë jemi të frikësuar sa nuk bëhet më, pasi shqetësimi ynë tani është se mbase këto përmbytje po bëhen rutinë”.

Ndërkohë, në fshatin Darragjat ka nisur shpërndarja e ndihmave ushqimore nga Kryqi i Kuq, me qëllim që banorët të jenë të furnizuar me ushqime për çdo situatë që mund të krijohet.
Në rrugët e zonave të rrezikuara të Dajçit shihet prezenca e forcave të shumta të ushtrisë dhe policisë, ndërsa uji po mbulon me shpejtësi fushat, një panoramë kjo që tregon se përmbytja tashmë është kthyer.

Madje uji po bën të pakalueshme dhe rrugën kryesore dhe të vetmen që lidh Komunën e Dajçit me pjesën tjetër të vendit. Në krye të rrugës së Dajçit qëndron një postbllok policie, ku këshillohen drejtuesit e automjeteve të vogla për të mos hyrë në Dajç, për shkak të prezencës së lartë të ujit në zonë.

Ndërkohë, një tjetër zonë që është përfshirë nga përmbytja e tokave dhe izolimi i banesave nga uji, është fshati Shirgj i Dajçit, që ndodhet gjithashtu buzë lumit Buna.

Ndërkohë mësohet se në fshatin Obot uji ka nisur të hyjë brenda disa banesave. Ky fshat aktualisht është tërësisht i izoluar nga pjesa tjetër e vendit. Në këtë zonë mund të futesh vetëm me mjete lundruese. Tashmë duket qartë se përmbytja po ndjek të njëjtën rrugë të një muaji më parë, duke mbuluar me ujë në fillim Obotin, më pas Dajçin dhe më pas periferinë e Shkodrës. Prurjet e Drinit, Bunës dhe Kirit, lumenj këta që rrethojnë në tri anë periferinë e Shkodrës, kanë rritur ndjeshëm rrezikun e përmbytjes në këto zona ku uji ka nisur të shfaqet qysh dje.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›