PS, vala e protestave edhe në rrethe të tjera
Protesta e Partisë Socialiste për hapjen e kutive të votimit do të vijojë edhe në qytete të tjera. Grupi i organizimit të kësaj proteste pranë selisë rozë po punon për të zhvilluar të tjera tubime paqësore në qytete të tjera të vendit. Nga selia rozë mësohet se protestat do të jenë çdo të shtunë dhe java që vjen nuk është vendosur ende zyrtarisht se në cilin qytet do të zbresin drejtuesit e lartë të PS-së, në qytetin verior të Shkodrës apo në qytetin bregdetar të Durrësit. Po sipas drejtuesve të PS-së, mësohet se gjasat janë që protesta e dytë të zhvillohet në Shkodër, por kjo do të vendoset përfundimisht nesër nga grupi që merret me organizimin e kësaj proteste. Nga 10 tetori e në vazhdim, Partia Socialiste ka nisur një protestë kundër qeverisë së drejtuar nga Kryeministri Berisha dhe zëvendëskryeministri Ilir Meta. Me thirrje "dua të shoh votën time", "ku është vota ime" etj., socialistët për gati dy orë kanë kërkuar nga qeveria që të lejojë hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Kjo kërkesë bëhet nga socialistët, pasi ata pretendojnë se vota e shqiptarëve është manipuluar dhe konkretisht vota e qytetarëve të Tiranës, Shkodrës dhe Beratit. Nismës së PS-së për të protestuar në shesh i janë bashkuar edhe parti të tjera, si të spektrit të majtë ashtu edhe të spektrit të djathtë. Krerët e këtyre forcave politike, njëzëri nga bulevardi para Kryeministrisë kanë deklaruar se nuk do të reshtin së kërkuari qeverisë hapjen e kutive të votimit, pasi kjo, kanë theksuar ata, është e vetmja mënyrë për të garantuar demokracinë në vend. Gjatë protestës së parë, kryetari i PS-së, Edi Rama, ideatori i një vale protestash që do të vazhdojnë në të gjithë vendin, paralajmëroi se do të protestohet në çdo shesh dhe rrugë deri në plotësimin e kërkesave të opozitës, si një e drejtë që i takon si partia më e madhe në vend. "Ne duam të shohim votën tonë, duam të çlirojmë votën tonë nga presioni i shtetit të bërë njësh me pushtetin. Ky pushtet nuk vendos dot për ne, sepse shumica e popullit nuk ka vendosur për të. Vala e protestës do të përhapet në Shqipëri, do ta përballim pushtetin e hajdutëve të votës me pushtetin e sovranit. Kjo është hapja e një sezoni protestash në çdo shesh të Shqipërisë dhe nuk do ndalemi para askujt në kërkimin e së drejtës sonë dhe e drejta jonë as nuk shitet dhe as nuk negociohet", ka deklaruar Rama para protestuesve pasditen e së shtunës në bulevardin para Kryeministrisë.