Konferenca, Kuvendi mbyll punimet më 29 korrik
Në kalendarin trejavor të punimeve përfshihen dekretet e Topit, mendimet e PD-së për votimin e hapur, si dhe drafti "Për Gjykatën Administrative"
TIRANË - Kuvendi i Shqipërisë do t'i mbyllë punimet për sesionin e dytë për këtë legjislaturë vetëm në 29 korrik, ndërsa gjatë kësaj kohe pritet të miratohen një sërë çështjesh të rëndësishme, siç është projektligji për Gjykatën Administrative, një sërë ndryshimesh në kodet, si dhe amendimet në Rregulloren e Kuvendit dhe më pas kandidaturat për në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese.
Konferenca e Kryetarëve e mbledhur dje ka miratuar kalendarin dhe programin e punimeve deri në datën 29 korrik, ndërsa ka vendosur me konsensus që të ndryshojë orarin e mbajtjes së seancave plenare që do të zhvillohen vetëm ditët e enjte në orën 10:00 paradite.
Konferenca
Rikthimi i opozitës në Kuvend me "kohë të plotë" i ka dhënë mundësi shumicës qeverisëse të rikthejë për votim një sërë ligjesh të rëndësishme. Pas afro dy vitesh Kuvendi do të rimarrë në shqyrtim dhe do të votojë projektligjin "Për Gjykatën Administrative" i njohur ndryshe si projektligji për gjykatën e gjobave ndaj biznesit.
Por, para se të kalojë për votim në seancë plenare duket se palët kanë rënë paraprakisht dakord që ta diskutojnë edhe një herë atë për të parë mundësinë e gjetjes së një konsensusi paraprak për sa i përket çështjeve që i mbajnë larg, ku natyrisht pika më e nxehtë është mënyra e organizimit të kësaj gjykate.
Vetë përfaqësuesit e djathtë janë shprehur edhe publikisht gjatë ditëve të fundit se janë të gatshëm ta ridiskutojnë projektligjin edhe një herë për të bërë të mundur që të gjendet gjuha e përbashkët edhe për çështjet për të cilat gjatë legjislaturës së shkuar nuk u ra dakord.
Megjithatë rikthimi për diskutim i projektligjit në komision duket se është i pamundur për shkak se ai ka kaluar një herë në këtë proces dhe tashmë teknika legjislative nuk e lejon një gjë të tillë. Natyrisht mundësia e vet është që ndryshimet të mund të bëhen vetëm në seancë plenare, por gjithmonë duke gjetur një konsensus paraprak mes palëve.
Gjithashtu në kalendarin trejavor është përfshirë edhe miratimi i ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit, për sa i përket procedurës së votimit të dekreteve të presidentit për në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese. Kjo natyrisht pritet të jetë një nga pikat më të nxehta të diskutimeve, pasi palët janë të vendosura të mos lëshojnë pe në qëndrimet e tyre.
Kështu të djathtët janë të bindur dhe të vendosur të miratojnë heqjen e votimit të fshehtë për dekretet, ndërsa të majtët e konsiderojnë atë si cenim të demokracisë parlamentare. Gjatë kësaj periudhe rregullorja lejon që mund të kalojnë për votim edhe dekretet e presidentit Bamir Topi për në Gjykatën e Lartë. Një pikë tjetër mund të futet në kalendarin trejavor është edhe projektligji për SHISH-in.
Megjithëse nuk ka qenë përfshirë në këtë kalendar, burime pranë Kuvendit kanë bërë të ditur se ky draft mund të hyjë automatikisht për miratim në seancë menjëherë pasi të bëhen gati amendamentet shtesë që pritet të vijnë nga misionet e huaja që asistojnë vendin tonë në reformat në fushën e rendit dhe sigurisë.
Seanca
Përveç kalendarit dhe programit trejavor Konferenca e Kryetarëve diskutuar edhe për ndryshimin e orarit të zhvillimit të seancave plenare. Kështu, me kërkesë të përfaqësuesve të majtë, Konferenca ka rënë dakord që Kuvendi të zhvillojë vetëm një seancë në javë dhe ajo të mbahet çdo të enjte në orën 10.
Një ndryshim i tillë është parë i nevojshëm për faktin se tashmë që opozita u rikthye në Kuvend diskutimi dhe miratimi i projektligjeve do të hajë më shumë kohë.
Ndërkohë që po gjatë mbledhjes së djeshme Konferenca ka kaluar edhe propozimet e grupit parlamentar socialist për vendet vakante për Nënkryetarin e Kuvendit dhe për kryesitë e komisioneve të përhershme parlamentare.