E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria e Vlorës: Nga hetimet nuk përjashtohet askush

Prokuroria e Vlorës po vazhdon intensivisht hetimet mbi incidentin e 10 prillit në Himarë, ku u hodhën parulla antishqiptare, duke përfshirë edhe veprat penale të nxitjes së urrejtjes dhe poshtërimit të simboleve të Republikës. Zyrtarë të organit të akuzës në qytetin e Vlorës bëjnë të ditur për "Shqip" se grupi që po merret me investigimin e ngjarjes së Himarës po shqyrton me hollësi se cilët janë personat e tjerë të implikuar në trazirat e së enjtes së shkuar, duke mos përjashtuar askënd.

Zëvendësprokurori i Vlorës, Dorjan Tafili, deklaroi për "Shqip" se "do të hetojmë për të gjitha shkeljet, përfshirë thirrjet antishqiptare në protestën e Himarës. Kemi në dorë kasetat filmike të ngjarjes dhe prej tyre do të nxjerrim përgjegjësit për çdo akuzë. Askush nuk përjashtohet nga hetimi". Këto fraza të drejtuesit të organit të akuzës së qytetit jugor nxjerrin në pah të rejat e zhvillimit të hetimeve për ngjarjen e Himarës. Fjalia "askush nuk përjashtohet nga hetimi" bën të qartë se objekt i tij ka shumë mundësi të jetë edhe kryebashkiaku i Himarës, nëse do të vërtetohen shkelje të ligjit. Në një fjalim që mbajti në Kuvend ditën e hënë, deputeti Spartak Ngjela, i cili është dhe një nga juristët më të njohur në vend, deklaroi se kryebashkiaku Bollano ka shkelur Kushtetutën e Republikës dhe ka nëpërkëmbur simbolet shqiptare. Në Kodin Penal, posaçërisht në nenin 265 përcaktohet prerë se "Nxitja e urrejtjes dhe e grindjeve raciale, nacionale ose fetare, si dhe përgatitja, përhapja ose ruajtja me qëllim përhapjeje e shkrimeve me përmbajtje të tillë, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet". Ndërsa në nenin pasardhës, atë me numër 266 theksohet se "Vënia në rrezik e paqes publike, duke bërë thirrje për urrejtje kundër pjesëve të popullsisë, duke i fyer ose shpifur për to, duke kërkuar përdorimin e dhunës ose të veprimeve arbitrare kundër tyre, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet". Gjithashtu në Kodin Penal ekziston edhe neni nr. 268, i cili flet për poshtërimin e Republikës dhe simboleve të saj. Sipas këtij neni: "Poshtërimi, botërisht ose nëpërmjet botimeve apo shpërndarjes së shkrimeve, i Republikës së Shqipërisë dhe rendit kushtetues, i flamurit, i stemës, i himnit kombëtar, i dëshmorëve të kombit ose heqja, dëmtimi, prishja, bërja e padallueshme apo e papërdorshme e flamurit apo stemës së Republikës të Shqipërisë të ekspozuara nga institucionet zyrtare, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet".

Protesta

Në tubimin e datës 10 prill, personat e mbledhur përpara postës së policisë kanë hedhur parulla, "Larg policia nga Himara", "Keni dhunuar djemtë tanë", "Të shkrihet Stacioni i Policisë", "Duam policë grek të bëjnë hetime në Himarë" etj. Sipas komunikatës zyrtare të policisë, në vendngjarje janë mbledhur rreth 60 persona, të cilët, sapo janë larguar punonjësit e policisë në drejtim të postës, kanë filluar që t‘i ndjekin nga pas dhe të qëllojnë me gurë. Disa prej personave që ndodheshin në turmë janë përpjekur që të futen brenda në ambientet e postës së policisë, por nuk janë lejuar nga efektivat e saj. Në lidhje me këtë ngjarje janë pezulluar nga detyra dy punonjës policie, deri në përfundim të hetimeve nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm. Gjithashtu, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka filluar hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe personat që kanë qëlluar me gurë mbi postën e policisë dhe goditjen e efektivave të policisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›