LB-ja, letër partive: Mos e ndotini kryeqytetin me poster

Lëvizja për Bashkim u ka dërguar letër të hapur të gjitha partive politike që do të garojnë në kryeqytet. Në letrën e sajë LB-ja ka tërhequr vëmendjen për ruajtjen e pastërtisë gjatë fushatës në kryeqytet.
“Shtabi zgjedhor i Lëvizjes për Bashkim i Prishtinës u bënë thirrje të gjitha shtabeve të Subjekteve Politike konkurruese për Prishtinë që të ruhet pastërtia e qytetit gjatë dhe pas procesit zgjedhor. Thirrja ka të bëjë me ndalimin e përdorimit të posterëve/pllakateve, gjegjësisht materialit zgjedhor i cili ngjitet dhe nuk mund të tërhiqet pas përfundimit të zgjedhjeve!”, konsideron LB-ja.
Sipas këtij subjekti politik, në proceset zgjedhore të mëparshme materiali propagandistik e ka ndotur qytetin gjithandej, duke krijuar pamje të shëmtuara dhe në të shumtën e rasteve ishte edhe si nxitje për konflikte ndërmjet simpatizantëve të partive të ndryshme! “Duke besuar se puna juaj është në të mirë të qytetit dhe qytetarëve të saj dhe dashurisë që të gjithë ne kemi për Prishtinën shpresojmë në përkrahjen tuaj për këtë nismë”, përfundon letra e LB-së./Indeksonline/