E Shtunë, 31 Tetor 2026

PSSH apo “PPSH”, me listat e Edi Ramës nuk kemi më dilema...

Deri në qershor të ’91-shit, PSSH (Partia Socialiste e Shqipërisë) ka qënë PPSH (Partia e Punës e Shqipërisë). Pra, me ndihmën e Ramizit të rinovuar, i “hoqën” një “P” dhe e zëvendësuan me “S”. Nëse do të bënim një grupim të alfabetit shqip, ku në secilin prej tyre nuk do të përfshinim më shumë se gjashtë shkronja; “P”-ja dhe “S”-ja i takojnë një “familjeje”. Madje këtij grupimi të alfabetit të shqipes do t’i përkiste edhe shkronja “R”, nëse PPSH-ja do të ishte shndërruar në PPRSH (Partia e Punës e Rinovuar e Shqipërisë). Bëhej fjalë për huajtje nga shkronjat që vinin pas “P”-së, pasi për komunistët nuk ka “kthim prapa”, as në zgjedhjen e shkronjave të alfabetit, për të formuluar një emërtim të ri të partisë së tyre në kushtet e sistemit të ri. Shkronjat “A”, “B”, “C” dhe “D” janë “shfaqje të huaja” dhe, sipas tyre, mund të përdoren vetëm për emërtimin e “partive kapitalisto-revizioniste”, ku më e rrezikshmja për momentin ishte “Partia Demokratike”. Por duke e parë në aspektin politik, të atyre ditëve të “zjarrta” të fillimqershorit ’91, gjetja e fjalëve dhe e simboleve të duhura për “rinovimin” e PPSH-së duhej të ishte një garanci për të gjithë delegatët e Kongresit të X-të, në mënyrë që ata të kalonin si një trup i vetëm “ylberin” katovician, për të rimarrë në dorë, edhe në pluralizëm, fatet e “demokracisë së vërtetë”, siç ndodhi në ’45-n. Lideri i tyre shpirtëror, Enver Hoxha ka thënë se, “demokracia proletare është demokraci e vërtetë”. Dhe këtë “amanet” ata e bënë realitet në vitin ’97, për të qëndruar ashtu si dikur, 8 vjet rresht në pushtetin e stigmatizuar prej paraardhësve të tyre si “sistem borgjezo-kapitalist”. Janë mësuar me pushtet të përjetshëm, ndaj mezi po presin zgjedhjet e 28 qershorit, që të vijnë përsëri në krye të tij; për të na futur në “Europën-kurvë”, për të përfunduar rrugën e “çeçenëve”, për të bërë “kodin e katundarëve” apo të “tokës”, për të ngazëllyer fytyrat e “uturaksave”, etj., etj. Dhe për këtë kanë zgjedhur një mënyrë të re “rinovimi”, sipas sloganit “përtej të majtës e të djathtës”, që të kujton një kinezëri të mirëfilltë enveriste. Lideri aktual i social-komunistëve shqiptarë, kërkon që në këtë mënyrë të ndërmarrë një iniciativë të re për të rinovuar ish-PPSH-në, tashmë duke ia punuar tinëzisht paraardhësit të tij, jo pse ai pranoi hapur që “babai” ideologjik i të majtëve është Enver Hoxha (besoj, të gjithëve ju kujtohet thënia e tij me shqiptarët e Zvicrës që “të gjithë e kanë një baba”, pasi vetë Edi Rama e ka ulur “pjacën” në këtë drejtim, duke iu falur darkë e mëngjes “Babë Myslymit”, por ngaqë e rrëzoi të majtën nga pushteti për shkak të sistemit të korrupsionit kombëtar) Edi Rama do të bëjë të kundërtën. Ai do që të vijë në pushtet duke shfrytëzuar përvojën e korrupsionit në nivel lokal, megjithëse bashkia e Tiranës është sa gjithë bashkitë e tjera shqiptare të marra së bashku ose afro një e tretë e Shqipërisë. Në këtë mënyrë, lideri aktual i PS-së, megjithëse nuk ka punuar në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste si paraardhësi i tij, ka përfituar më shumë se kushdo tjetër nga kjo përvojë. Ai ka filluar të aplikojë me sukses metodën e “luftës ilegale”, duke ua besuar atë “ylberistëve”, për të mënjanuar nga skena politike disa përfaqësues tipik. me të cilët identifikohet PSSH-ja dhe qeverisja e saj disavjeçare. Në këtë mënyrë, “ylberi” nuk është më një fenomen për t’u kapërcyer, po për t’u kapërdirë nga një pjesë e mirë e të majtëve; njëlloj si ujë i kripur i detit, teksa shohin t’u afrohet “gota” e spostimit të tyre, për t’u hapur vend punonjësve të brendshëm dhe bashkëpunëtorëve të jashtëm të Bashkisë Tiranë. Me pak fjalë, PSSH (Partia Socialiste e Shqipërisë) po shndërrohet në “PPSH” (Partia e Pallateve Shamku Shkreli), pavarësisht se një renditje tjetër e këtyre shkronjave, duke shtuar edhe gërmën e parë të fjalës “Korrupsion” mjafton për të krijuar; PKSH (Partia Komuniste Shqiptare” dhe PPSH (Partia e Punës e Shqipërisë). Ndërsa po të shtonim dhe një emër tjetër, që hiqet si Rama “de facto” i Bashkisë, të përzier në këto punë do t’na tepëronte një “SH”, me të cilën mund të krijonim një epitet të ri të përgjithshëm për të portretizuar gjithë shpurën e majtistëve të korruptuar. Simbole më domethënëse për të treguar “ndryshimin” aktual të PSSH-së nuk ka. Pra është një “ndryshim” që vjen si rezultat e përshtatjes dhe jo i zhvillimit, ashtu siç ndodhi shndërrimi i emërit të PKSH-së në PPSH, që ishte çështje forme dhe jo përmbajtjeje. Po kështu, çështje forme ishte dhe shndërrimi i PPSH-së në PSSH. Ndërsa ky ndryshimi i fundit është çështje informaliteti apo, më mirë të themi, çështje ilegaliteti, duke u kthyer prapë në strofkën e vjetër politike të të majtëve…
Natyrisht këto nuk janë “lojëra fjalësh”, por lojëra të rinovimit më të ri të ish PPSH-së. Madje “rinovimi” më i fundit ka marrë dhenë, pavarësisht mënyrave maskuese që përdoren nga krerët e politikës së majtë për t’u paraqitur si “atdhetarë të mëdhenj” në publik. Për shumicën e shqiptarëve të ndershëm, pikërisht këtë parathotë edhe sigla majtiste: “Bashkimi i Ri për Ndryshim”, që belbëzohet me një “çiltërsi fëminore” edhe nga Gjinushi e Milo. Tashmë, së fundi, kjo parullë filloi të artikulohet “foshnjërisht” edhe nga Dule, duke gërmëzuar drejt të gjitha shkronjat, me përjashtim të fjalës “Ndryshim” që e thotë “Ndrishim”. Por kuptimi më i drejtë i kësaj fjale është shqiptimi ironik që i bënë asaj lideri demokrat Sali Berisha, duke e quajtur: “Ndryshkim”. Dhe ka të drejtë, pasi çdo lëvizje për ndryshim e të majtëve ka patur si qëllim fshehjen e vjetërsirave, në të gjitha kuptimet e mundshme të kësaj fjale, e cila në gjuhën teknike quhet “ndryshk”. Në rastin e programit politik të Ramës,  “ndryshku” quhet “korrupsion”, vetëm se ndryshon forma e shfaqjes së tij. Rama pretendon të krijojë një qeveri, sipas teorisë marksiste “para - para prim”, që në rastin konkret do të thotë: “korrupsion - korrupsion prim”. Pra korrupsionin bashkiak do ta shndërrojë në korrupsion kombëtar, duke shfrytëzuar modelin që ka krijuar gjatë drejtimit për gati 9 vjet rresht të këtij institucioni. Avantazhi apo “ndryshimi” i kësaj “qeverie-hije”, më krahasim me qeveritë e mëparëshme majtiste qëndron në fatin se qeveritarët e Ramës janë të trajnuar dhe janë bërë mjeshtra të korrupsionit qysh në qeverisjen lokale, sidomos përsa i përket fushës së ndërtimtarisë. Modeli, se si ka funksionuar ky lloj korrupsioni është ai i dy mbledhjeve të fundit të KRT-së, ku shumica dërrmuese e lejeve të ndërtimit është gatuar në studion “Shamku” dhe “Shkreli”, të cilët së bashku me Shalësin i kanë dhënë “SH”-në që i mungonte Partisë së Pallateve “PP”. Duke i marrë një për një të gjithë përfaqësuesit më të lartë të PS-së, të përfshirë edhe në listën e kantidimit për deputet në zgjedhjet e 28 qershorit, rezulton se shumica e tyre, në një mënyrë ose në tjetrën janë produkt i korrupsionit apo “nepotizmit” me lejet e ndërtimit. Parulla e dikurshme: “një votë, një pallat” është shndërruar tani në: “një pallat, një deputet”. Kësisoj krerët e lartë të së majtës apo kantidatët për deputet të saj, në një mënyrë ose në tjetrën, janë të lidhur me lejet e ndërtimit. Dhe kjo nuk ka ndodhur vetëm me përfaqësuesit e majtë të kryeqytetit, por dhe me ata të qyteteve të tjera të drejtuara nga majtistët si në Vlorë, Fier, Gjirokastër, Elbasan, Korçë e kështu me radhë. Drejtimi majtist i bashkive në kryeqytet dhe qytetet kryesore të vendit prej disa vitesh rresht, duke filluar nga ’97-a tregon se, në një mënyrë ose në tjetrën, social-komunistët shqiptarë s’mbeten kurrë pa pushtet, as në pluralizëm. Kësisoj, pasi kanë drejtuar për 8 vjet rresht qeverinë qëndrore dhe katër vjetë më pas, qeverinë lokale në qytetet kryesore të vendit, fitorja në zgjedhjet e përgjithëshme të 28 qershorit kërkohet për të siguruar rolin udhëheqës të “PPSH”-së në të gjithë jetën e vendit. Qysh nga ’97-a nuk ka më as institucione të pavaruara “de facto”, pavarësisht se “de jure” ekzistojnë disa të tilla në fushën e medias apo të drejtësisë. Më “jashtë loje”, por jo më e pavarur duket se është Prokuroria e Përgjithëshme, e cila megjithë malin e denoncimeve që është bërë për korrupsionin me pallatet apo investimet publike në Bashkinë e Tiranës, nuk ka ndërmarrë qoftë edhe hetimin më minimal në këtë drejtim. Dhe kjo sepse, “Pallati” e bën “lumin që të rrjedh përpjetë”, siç thotë një fjalë e urtë për “paranë”. Të majtët kanë 12 vjetë që emetojnë leje pallatesh në kryeqytet dhe qytetet kryesore të vendit, duke e shndërruar çdo socialist të këtyre zonave në një lojtar të spikatur në “bursën” e “Partisë së Pallateve”. Pas 28 qershorit, social-komunistët pretendojnë të shndërrohen në “QP” ose “Qeveri Pallatesh”, pavarësisht se në spjegimin e programit elektoral kjo “Parti Pallatesh”, s’është gjë tjetër veçse një “Parti Pallavrash”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›