Edi Rama mashtron dhe përçan emigrantët shqiptarë në Trikalla të Greqisë
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama, që kohët e fundit ka marrë gjerësisht edhe pseudonimin “Mister 15 përqindëshi”, ka ndërmend të mashtrojë e përçajë emigrantët shqiptarë në Trikalla të Greqisë. Ditën e shtunë, datë 23 maj 2009 në qytetin e Trikallas, Edi Rama dhe një shpurë deputetësh të dështuar të Partisë Socialiste kanë paguar organizimin e një mitingu elektoral në favor të PS-së duke e paraqitur atë si një koncert për komunitetin shqiptar atje. Por që koncerti të mos tingëllojë elektoral, në bashkëpunim me Kryetarin e Partisë Socialiste të Trikallas, Ilir Dibra dhe kryetarin e degës së PS-së në Vollos, Eduart Tafajn, kanë vendosur si mbulesë të mitingut elektoral të PS-së një të ashtuquajtur shoqatë të dominuar nga interesat partiake të së majtës atje. Sipas të dhënave që disponohen, si këngëtarët ashtu edhe krerët e degëve të PS-së që përmenden më lart, janë paguar me shuma të konsiderueshme parash që të mund të mbledhin shqiptarë. Afishet e këtij gjoja koncerti sigurisht që nuk mbajnë as emrin dhe as figurën e Edi Ramës, i cili po të dukej si “fanti spathi” më shumë do të largonte se do të mblidhte njerëz. Dhe në këtë mënyrë ai dhe organizatorët e përdorur prej tij shpresojnë të mashtrojnë shqiptarët që duan këngën e tyre të lehtë dhe popullore dhe t’i mbledhin gjoja në koncert. Por Edi Rama do të shfaqet atje si rastësisht për të bërë propoagandën e ndarjes së shqiptarëve dhe emigrantëve mes të majtës dhe të djathtës dhe duke përfshirë në këtë nismë edhe shoqata shqiptarësh apo individë që mund të tërhiqen nga reklama e koncertit për të mbushur sallën mjerane në dispozicion të Edi Ramës. Si për të dhënë dorën e fundit, ai duke përdorur emrin e kreut të PS-së së Trikallës, Ilir Dibrës, dhe duke abuzuar me gjoja përfaqësimin që ai mban atje nën siglën e një të ashtuquajture shoqatë, ka influencuar tek autoritetet lokale të Trikalës duke u vetshpallur i ftuar si Kryebashkiak i Tiranës që do të takojë autoritetet lokale. Nën këtë petk ai do të mbajë fjalën e vet elektorale gjatë koncertit që organizon po vetë me paratë e tij e që e shet si organizim të shoqatave të shqiptarëve. Pa dashur të hyjmë tek karakteri i të ashtuquajturave shoqata emigrantësh apo puntorësh apo gjithfarë emërtimesh, theksojmë se Edi Rama prej kohësh me misionarët e vet ka ndërmarrë një tur përcarës tek komuniteti i emigrantëve në Greqi duke mos e kuptuar se një pjesë e madhe e shoqërisë së shqiptarëve në mërgim është tejet e zemëruar dhe e indinjuar me sistemin e tij klientelist që e përdor në të gjitha marrdhëniet njerëzore dhe institucionale. Përvec dritshkurtësisë së krerëve të disa të ashtuquajturave shoqata, por që në fakt janë celula partie të majta, ndjenja e mosndëshkimit për grabitjet në krye të bashkisë së Tiranës, telashet me skandalet e mëdha që nga prmbytja e Tiranës me anë të liqenit artificial, Blendi Gonxhet, etj mund të çojnë në episode të papëlqyeshme. Qëndrimi i Edi Ramës dhe sejmenëve të tij prej kapadaiu, paaftësia e personelit që ai menaxhon për të zgjidhur cështje të mëdha dhe arroganca që dëshmon në administrimin e pushtetit, janë të bollshme për të përligjur pabesueshmërinë e Edi Ramës dhe njerëzve të tij tek komuniteti i emigrantëve shqiptarë. Edi Rama po përpiqet të përfshijë në luftën e tij egoiste dhe të vjetëruar për pushtet komunitetin e emigrantëve në Greqi duke mos llogaritur pasojat dhe duke shtyrë organizatat politike të krahut të kundërt të bëjnë të njëjtën gjë për t’i dhënë përgjigje qëndrimit të tij konfliktual. Dhe në këtë mënyrë pashmangshmërisht të krijojë përçarjen dhe ekstremizmin mes radhës së emigracionit shqiptar në Greqi që duhet të mbetet larg frymës revanshiste të Edi Ramës dhe egos së tij të sëmurë për pushtet. Edi Rama nuk vjen në Trikalla as t’u japë punë shqiptarëve, as të përshpejtojë procesin e nxjerrjes së lejeve të qëndrimit, as të heqë vizat me Greqinë, as të flasë për ta dhe as të garantojë pensionet dhe vendet e tyre të punës. Edi Rama viziton Trikallën dhe vende të tjera të Greqisë me synimin e vetëm të përfitimit elektoral dhe hedhjes hi syve të shqiptarëve që shtuan radhët e emigracionit gjatë viteve të qeverisjes së të majtës nga viti 1997 e deri në vitin 2005.