Fokus/Lidhja e veçantë e Benediktit XVI me Shën Benediktin
Kisha e Montekasinos pret me padurim vizitën baritore të Benediktit XVI, të dielën e ardhshme. Një nga çastet më të fuqishme të udhëtimit do të jetë kremtimi i Mbrëmësoreve në Abacinë benedektine me abatë dhe badesa nga e gjithë bota. Një moment, për të nënvizuar se sa i lidhur është Papa me figurën e Shën Benediktit nga Norça, Pajtor i Evropës, atë i monakizmit perëndimor. Nuk i ka marrë atij vetëm emrin. Shën Benedikti është në zemrën e Papës. Pak para se të zgjidhej në Katedrën e Shën Pjetrit, më 1 prill 2005, Jozef Racinger shkoi në Kuvendin e Shën Skolastikës në Subiako, pranë Romës, ku mbajti një fjalim mbi vlerën e përhershme të fesë së krishterë para kufizimeve të kulturës aktuale racionaliste. “Kemi nevojë për njerëz si Benedikti nga Norça – tha atëherë papa i sotëm – i cili në një kohë dekadence, arriti të themelojë në Montekasino qytetin mbi mal, e të bashkonte forcat nga të cilat u formua një botë e re. Kemi nevojë për njerëz, që si Shën Benedikti, ta mbajnë vështrimin të ngulur te Zoti, duke e mësuar prej aty humanizmin e vërtetë”. Pas tri javësh, më 27 prill, në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa i ri mban audiencën e parë të përgjithshme e ndalet mbi psenë e zgjedhjes së emrit Benedikti XVI: “Shën Benedikti përbën një pikë themelore referimi për bashkimin e Evropës dhe na kujton fuqimisht rrënjët e pazëvendësueshme të krishtera të kulturës e qytetërimit të saj”. Për modelin benedektin, për aktualitetin e tij, Papa flet para botës së kulturës në Collège des Bernardins në Paris, në shtatorin e vitit 2008. Rrënjët e kulturës evropiane, përsërit ai, zhyten thellë në terrenin pjellor të monakizmit perëndimor. Murgjërit, thekson, duke kërkuar Zotin, themeluan një qytetërim të ri. Një përvojë për t’u rizbuluar: “Quaerere Deum, ta kërkosh Zotin e ta lesh veten të të gjejë Ai: kjo - reflekton Papa - nuk është më pak e nevojshme sot se në kohët e kaluara”. Dhe paralajmëron mbi rrezikun e një kulture thjesht pozitiviste, që e përjashton Zotin. Do të ishte fundi i humanizmit, thekson Papa, duke sqaruar se baza e kulturës së Evropës, kërkimi i Zotit dhe gatishmëria për ta dëgjuar zërin e Tij, mbetet edhe sot themeli i çdo kulture të vërtetë.
Më 20 shtator 2008, Benedikti XVI pret në audiencë abatët benedektinë nga e gjithë bota dhe u kërkon të shpallin përparësinë e Hyjit, pa kompromis me botën e sotme: “Në kuvendet tuaja, ju të parët përtërini e thelloni përditë takimin me personin e Krishtit, që e keni gjithnjë me vete si mik e shok. Për këtë, kuvendet tuaja janë vende ku burrat e gratë, edhe ata të epokës sonë, vijnë për të kërkuar Zotin e për të mësuar si njihen shenjat e pranisë së Krishtit, të bamirësisë e të mëshirës së tij”. Shën Benediktit, “yllit të ndritshëm”, siç e pat përkufizuar Shën Gega i Madh, Papa i kushton katekizmin e audiencës së përgjithshme të 9 prillit të vitit të kaluar. E thekson rëndësinë e abacisë së Montekasinos: “Në vitin 529 Benedikti la Subiakon për t’u vendosur në Montekasino…ky vendim u mor pasi kishte hyrë në një fazë të re të pjekurisë së brendshme e të përvojës murgare… jeta murgare në heshtje ka arësyen e vet, por kuvendi ka edhe qëllim publik në jetën e Kishës e në shoqëri, që të gjithë ta shohin se feja është forca e jetës”.
Më pas, Papa e këshillon Evropën e përhumbur, në kërkim të identitetit, të shikojë Shën Benediktin dhe mësimet e tij: “Për të krijuar një unitet të ri e të qëndrueshëm, janë natyrisht të rëndësishme mjetet politike, ekonomike dhe juridike, por duhet nxitur edhe përtëritja etike e shpirtërore, që rrjedh nga rrënjët e krishtera të kontinentit, përndryshe nuk mund të ndërtohet Evropa… Murgu i madh mbetet një mësues i vërtetë, në shkollën e të cilit mund të mësojmë artin e të jetuarit të humanizmit të vërtetë”.
Së shpejti përurohet një sit interneti kushtuar komunikimit të Papës me të rinjtë “Pope2you- Papa për ju”/Pope2you – Papa për ju. Kështu quhet faqja e re internet e Këshillit Papnor për Komunikimin shoqëror kushtuar të rinjve. Siti internet do të inaugurohet pasnesër dhe është përgatitur me rastin e Ditës së 43-të Botërore të komunikimit shoqëror që do të kremtohet të dielën e ardhshme. Kryeipeshkëvi Klaudio Maria Çeli u shpjegoi gazetarëve hollësitë e kësaj nisme. “Është një sit që kemi përgatitur me rastin e Ditës së 43 Botërore të komunikimit që do të kremtohet më 24 maj, tha ai. Dëshironim që ky sit t’i drejtohej të rinjve gjë që mund të shihet menjëherë nga titulli: “Papa dhe të rinjtë”. Besoj se ky është siti i parë që i drejtohet të rinjëve dhe përpiqet të vendos me ta kontakte, një dialog të pasur, të këndshëm, të hapur, të përzemërt pikërisht sepse tema e këtij viti e Ditës Botërore të komunikimit shoqëror është: “Teknologji të reja, marrëdhënie të reja. Prandaj edhe ne dëshironim që siti i ri internet të ishte afër të rinjëve, një sit i aftë për të dialoguar. Ai është i ndërtuar në pesë gjuhë, më saktësisht: italisht, anglisht, spanjisht, frëngjisht dhe gjermanisht. Siti do të hapet të enjten (21 maj 2009). Për këtë sit kanë kontribuar zyra e komunikimit shoqëror e Konferencës ipeshkvnore italiane, Qendra televizive vatikanase, Radio Vatikani dhe H2O Njuz.
Kardinal Skola për udhëtimin e Papës në Tokën Shenjtë/“Një leksion realizmi. Këto ishin tetë ditët e Papës Benedikti XVI në Tokën Shenjte. Me guxim të jashtëzakonshëm vuri dorë mbi kontradiktat e fuqishme të asaj toke të martirizuar, me energjinë kryelartë të atij që nuk nënshtrohet, pasi e di se gur-gur bëhet kalaja”. Kështu pohon Patriku i Venedikut, Anxhelo Skola, duke komentuar në gazetën italiane “Tempi” (Kohët) udhëtimin e fundit apostolik të Atit të Shenjtë në “një tokë, që është nerv i zbuluar i njerëzimit” e ku “ka lënë shenjë më shumë se çdo gjë kujdesi i Papës, plot shpresë për banorët e Tokës Shenjte”. “Udhëtimi i tij - vazhdon kardinal Skola – ishte disi i çuditshëm që në fillim. Papa rrezikoi, pa bërë llogari për suksesin apo mossuksesin e vizitës. Eci mbi gjurmët e dridhshme të vuajtjeve të të krishterëve, që banojnë aty. Përqafoi, në emër të krejt Kishës Katolike, bashkësitë e krishtera në atë pjesë të Lindjes së Mesme, ku ato janë “qirinj të ndezur” që ndriçojnë vendet e shenjta”. Por ky përqafim, pikërisht sepse u bë në emër të Atij, që është Rruga, e Vërteta dhe Jeta, përfshiu domosdoshmërisht, megjithëse me mënyra të ndryshme, vëllezërit hebrenj dhe myslimanë, që jetojnë në tokën e dhuruar atit të të gjithëve, Abrahamit. Sipas kardinal Skolës, “fytyra delikate dhe intensive me të cilën Papa, në gjunjë para së çarës ku u ngul kryqi i Krishtit, e mbylli shtegtimin, hap për të gjithë njerëzit vullnetmirë një rrugë të frytshme për zgjidhjen e nyjes së Lindjes së Mesme”. “Të thjeshtët do të dinë sigurisht ta gjejnë. Të pushtetshmit e kësaj bote – përfundon Patriku i Venedikut - të mësojnë nga energjia konstruktive, e butë dhe e qetë e Benediktit XVI”.