PS:Tragjeditë në miniera, faji i korrupsionit qeveritar

Partia Socialiste i cilëson pasojë korrupsioni të qeverisë tragjeditë e një pasnjëshme që ndodhin në qytetin e Bulqizës. Deputeti i kësaj zone Qemal Minxhozi duke reaguar për këtë çështje i bëri thirrje prokurorisë të nisë menjëherë hetimet për këtë çështje. Ndërkohë për këtë aksident ka reaguar edhe ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës. Sipas kësaj ministrie dy banorë të zonës, janë futur në këtë galeri, në një nga zonat e shembura dhe duke shfrytëzuar pushimin e të dielës kanë hapur një kalim të ngushtë sa për t'u futur barkas dhe kanë punuar për disa orë, derisa njëri prej tyre u aksidentua me pasojë vdekjen. Gjithashtu ministria bën të ditur se Reparti i Inspektim Shpëtim Minierave ka qenë prezent që në momentet e para pas aksidentit dhe në bashkëpunim me organet e rendit dhe të prokurorisë, ka përcaktuar rrethanat e aksidentit. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, vijon më tej njoftimi do të vijojë të bashkëpunojë me organet e Rendit dhe Prokurorinë, në mënyrë që aksidente të tilla të mos përsëriten në të ardhmen. Gjithashtu, duke njohur opinion publik me detajet e këtij aksidenti tragjik, i bën thirrje individëve të caktuar në opozitës të mos vijojnë të bëjnë politikën e vdekjeve përpara mikrofonave.