E Diel, 1 Nëntor 2026

Pa FMN, si me piramidat

Shefi i opozitës, Edi Rama thotë se largimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar rikthen në kujtesë firmat piramidale që shkaktuan krizën e viteve 96-97. Rama thotë se kemi kërcënim për shpërdorim buxheti si në vitin 96 dhe premton që, në rast largimi, socialistët do ta rikthejnë sërish FMN-në kur të vijnë në pushtet

Partia Socialiste e cilësoi si arrogant e të papranueshëm vendimin e ekzekutivit shqiptar për të larguar Fondin Monetar Ndërkombëtar. Kryesocialisti Edi Rama tha dje, se qëndrimi ndaj FMN-së është një tregues që paralajmëron një rikthim në vitin 1996, kur sipas tij, ish-presidenti Berisha dhe ministri i Financave, Bode, shpenzuan qysh në gjashtëmujorin e parë të gjithë lekët e buxhetit të atij viti për qëllime elektorale. “Pasojat e tmerrshme i mbajmë mend të gjithë. Të hysh në një vit elektoral me Sali Berishën e Ridvan Boden, presidentin dhe ministrin e Financave të piramidave të vitit 1996, pa monitorimin e buxhetit të shtetit nga FMN-ja, është njësoj si të shkosh në zgjedhjet e 26 majit 1996 me Saliun, pa OSBE-në dhe pa karta identiteti”, - tha kryetari i partisë më të madhe opozitare. Ai tha se largimi i FMN-së e bën tashmë kryeministrin Berisha një kërcënim jo vetëm për pushtetet e pavarur, por edhe për themelet e financave publike, që po sipas tij, janë në prag të një shpërdorimi tejet të rrezikshëm për qëllime elektorale. Rama shprehu qëndrimin e PS-së kundër vendimit të kryeministrit, që e cilësoi si mjaft të rrezikshëm. Sipas tij, faktet historike e të dhënat e ekonomisë tregojnë qartë se pa monitorimin e FMN-së kreu aktual i ekzekutivit shqiptar do ta çojë vendin drejt një krize të madhe ekonomike. Për kreun e PS-së, sigurisht që ata që do të paguajnë këtë krizë do të jenë sërish qytetarët shqiptarë. “Unë deklaroj publikisht se, në rast se Sali Berisha do të ndërpresë arbitrarisht marrëdhëniet me FMN-në, duke mos e rinovuar marrëveshjen me këtë institucion të domosdoshëm për ecurinë e vendit në këtë fazë të rrugës së tij, marrëveshja e parë që ne do të nënshkruajmë pas fitores së zgjedhjeve të vitit 2009, do të jetë marrëveshja me FMN-në”, - deklaroi numri një i PS-së. Edi Rama shtoi se raporti i gushtit i FMN-së vuri në dukje se shpenzimet e qeverisë në periudhën 2005-2007 nuk janë ulur, siç është shprehur shefi i qeverisë. Kryetari i PS-së tha se FMN-ja vërtetonte që shpenzimet janë pothuajse në të njëjtin nivel me ato të periudhës 2002-2004, dukshëm shumë më të larta sesa të vendeve të grupit ku hyn Shqipëria. “Raporti i gushtit i FMN-së konfirmoi krejt të kundërtën e asaj që u thotë Sali Berisha shqiptarëve, lidhur me reformën e sektorit energjetik, ku kemi një ulje drastike të mbledhjes së të ardhurave në më pak se 50 për qind dhe rritje të humbjeve në nivelin e 2.4 për qind të PBB-së së vitit 2007, ose e thënë me fjalë të thjeshta, ne humbim në rrjetin energjetik, aq sa financojmë shëndetësinë”, - nënvizoi kryetari i PS-së. Rama shtoi se gjithë opinioni publik vlerëson kontributin e FMN-së për tranzicionin në vendin tonë, duke ndihmuar reformat në të gjitha fushat, veçanërisht ato për financat publike e ristrukturimin e sistemit bankar. Sipas kreut të PS-së, qëllimi i vetëm i largimit të FMN-së është interesi i ngushtë i pushtetit për të shpërdoruar financat e shtetit, pikërisht për qëllime elektorale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›