Mazhoranca të angazhohet seriozisht për reformën zgjedhore

Valentina Leskaj i kërkoi dje mazhorancës që të angazhohet seriozisht për reformën zgjedhore. Numri një i socialistëve në Kuvend reagoi dje pas qëndrimit të bërë të martën nga ambasadori i Komisionit Evropian, Helmut Lohan. “Falënderoj edhe njëherë ambasadorin Lohan dhe BE-në për gjithë mbështetjen që kanë dhënë jo vetëm për reformën zgjedhore, por për gjithë procesin e reformave në Shqipëri. Besoj që jemi në të njëjtën gjatësi vale, sepse siç mund t’i keni ndjekur, në të gjitha deklaratat e fundit ne kemi kërkuar dhe kërkojmë edhe sot nga PD-ja, që procesi i ndryshimeve në kodin elektoral për t’u përshtatur me ndryshimet kushtetuese është një procesi i vonuar, që duhet të përfundojë brenda muajit shtator”, - tha dje numri një i socialistëve në Kuvend. Lidhur me punën e komisionit të posaçëm të ngritur për hartimin e kodit, kryetarja e grupit parlamentar të PS-së tha se versioni i socialistëve është paraqitur nga përfaqësuesit në këtë komision, apo edhe nga grupi i ekspertëve që punon pranë PS-së. “Kanë paraqitur le të themi qëndrimin e PS-së për të gjitha pikat e kodit dhe ju e dini që në fillim që ne e kemi pasur kohë më para, besoj më shumë se kushdo tjetër, variantin tonë të gatshëm. Kemi qenë në proces negocimi. Jemi të gatshëm të kontribuojnë. Ekspertët tanë janë shumë korrektë, kanë qenë aty edhe në kohën e pushimeve. Fakti që nuk ka përfunduar, do të thotë që mazhoranca të marrë përgjegjësitë për sa i përket reformës”, - u shpreh Valentina Leskaj. Por veç insistimit nga ana e socialistëve, që miratimi i kodit të përfundojë brenda këtij muaji, duke kërkuar që mazhoranca të marrë përgjegjësitë e saj, numri një i socialistëve në Kuvend u ndal edhe tek çështjet e tjera të rëndësishme të reformës zgjedhore. “Berisha që dje u ka kërkuar shqiptarëve të votojnë me karta identiteti. Kryeministri ka filluar fushatën elektorale, por përpara se të nisë fushatën, duhet të garantojë procesin, përfundimin në kohë të tij dhe e kam fjalën për reformën e kodit dhe infrastrukturën gjithashtu. Kjo nuk bëhet duke u kërkuar shqiptarëve të votojnë me karta identiteti, po duke iu garantuar kartat e identitetit”, - deklaroi ajo. Valentina Leskaj sqaroi se nuk janë shqiptarët ata që pengojnë votimin me karta, por është ekzekutivi që duhet t’iu garantojë qytetarëve se do t’i kenë në dorë kartat përpara zgjedhjeve. Ajo shtoi se socialistët kanë kërkuar vazhdimisht, çka e kërkojnë sërish, që duhet një datë se kur do të përfundojë procesi i prodhimit, por edhe ai i shpërndarjes së kartave. Leskaj nënvizoi faktin se, duhet që ekzekutivi të garantojë elementet e sigurisë së kartave të identitetit, por edhe gjithë infrastrukturën zgjedhore, bashkë me përfundimin e kodit zgjedhor. saqellari@korriei.com