Si u ndava me Kostën një ditë para vdekjes

KORÇË - “Më ka pyetur për djalin dhe kemi bërë bisedat e zakonshme, por unë nuk vura re ndonjë shqetësim që ai mund të kishte”. Brunelda Krasniqi, bashkëshortja e të ndjerit Kosta Trebicka, ka folur dje për herë të parë pas vdekjes së të shoqit, gjatë një seance pyetjesh me prokurorët e çështjes. Sipas saj, i shoqi ishte një natyrë shumë e kujdesshme, ndaj dhe nëse mund të kishte pasur ndonjë problem, nuk mund të implikonte emocionalisht asnjëherë familjen. “Për shkak të kësaj mënyre sjelljeje të Kostës, unë për punët e tij nuk dija asgjë”, mësohet të ketë pohuar më tej gruaja e ve.
Bashkëshortja e dëshmitarit më të rëndësishëm të aferave të shitjes së fishekëve kinezë nga ana e shtetit shqiptar, dy javë pas vdekjes tragjike të të shoqit ka pranuar të tregojë për prokurorët momentet e fundit të ndarjes me Kosta Trebickën. Ajo ka treguar orët e fundit në shtëpi me burrin, pak para se të nisej drejt Korçës, ndonëse ai i kishte thënë se do të shkonte për gjah në Leskovik dhe jo në Voskopojë, aty ku u gjet i vdekur në rrethana ende misterioze. Burime të mirinformuara të gazetës pranë Prokurorisë së Korçës bëjnë të ditur se një ditë më parë, një pjesë e grupit të hetimit ka udhëtuar në drejtim të kryeqytetit, për ta bërë të plotë dëshminë e gruas së biznesmenit shqiptaro-amerikan, i gjetur i vdekur më 12 shtator në zonën e Lekasit, në afërsi të Voskopojës.
Krasniqi nuk ka shprehur asnjë dyshim për sa i përket aksidentit apo vdekjes së të shoqit, ndërsa e vetmja kërkesë nga ana e saj lidhet me një transparencë për familjen, për atë se çfarë ndodh me hetimet dhe për shkakun e kësaj vdekjeje. Sipas saj, i shoqi nuk ka shfaqur ndonjë shqetësim, ndërsa një ditë para se të vdiste, udhëtimi jashtë Tiranës ka qenë drejt Elbasanit, për të takuar një mikun e vet, për të cilin nuk ka më shumë dijeni se kaq. Pista e Elbasanit pritet të hetohet, ndërkohë që ende nuk kanë mbërritur tabulatet telefonike nga kompania “Vodafon”, për të zbardhur edhe disa të panjohura të tjera për bisedat më të fundit telefonike të Trebickës, ndërsa do të pyeten për herë të dytë disa dëshmitarë të tjerë, për të plotësuar dosjen voluminoze të kësaj çështjeje, mbushur me shumë hipoteza. Mësohet se dëshmia e gjatë e Brunelda Krasniqit ka qenë e imtësishme. Ajo është ndalur edhe në një moment, nga më kritikët në jetën e saj, kur ka komunikuar jo me bashkëshortin, siç bënte vazhdimisht, por me një punonjës të policisë së Korçës, të cilët i kanë komunikuar se Trebicka ndodhej në spitalin e Korçës në gjendje kritike për jetën, pas një aksidenti automobilistik.
Gjatë dëshmisë së dhënë për efekt të hetimit të kësaj çështjeje mjaft të diskutuar për një vdekje të mistershme, bashkëshortja e të ndjerit ka nisur të tregojë sesi ai i ka thënë se do të largohej, teksa ka përgatitur edhe valixhen me ndërresa, madje edhe me një libër për ta lexuar, të cilin porsa e kishte blerë. “Drekuam si dhe herë të tjera në shtëpi, - ka thënë ndër të tjera Brunelda e veshur me të zeza, - ku ishte i pranishëm edhe djali ynë 11-vjeçar. Pas dreke Kosta më tha se do të ikte për gjah në Leskovik dhe nisi të përgatitej për të shkuar. Nuk këmbyem shumë fjalë, ndërsa ai u largua, duke na përshëndetur dhe duke më thënë se do të qëndronte ndoshta dy ditë larg meje dhe djalit”. Kështu e shpjegon me pak fjalë largimin e Trebickës drejt juglindjes gruaja e tij, për të mos u kthyer më kurrë i gjallë prej andej, teksa ka marrë me vete edhe qenin e tij të gjahut, Megin. Por elementi më i ri që ka ngjallur interes për hetimin, është takimi vetëm një ditë para se të ikte drejt rajonit të Korçës, në Elbasan, me një të panjohur. Gruaja e Kosta Trebickës në dëshminë e saj të detajuar vetëm një ditë më parë, ka treguar se më 10 shtator Kosta kishte shkuar për disa orë me radhë në qytetin e Elbasanit, për të takuar një mikun e vet, por pa i sqaruar më shumë se kaq. Nuk dihet se kush ishte njeriu që Trebicka do të takonte në Elbasan, ndërsa vetëm një ditë më pas, në mënyrë të beftë ai ka ndërmarrë një tjetër udhëtim, këtë herë për gjah në drejtim të juglindjes shqiptare. Brunelda ka sqaruar se ka marrë vesh që Kosta ndodhej në Voskopojë vetëm gjatë mbrëmjes, kur ai ia ka konfirmuar këtë fakt nëpërmjet telefonit, porse nuk ka ndierë ndonjë shqetësim apo edhe vetë ai nuk i ka shprehur ndonjë problem. Gjithsesi, vdekja e biznesmenit nuk i është dukur dyshuese gruas së tij, e cila ka pohuar se fill pas tragjedisë nuk ka parë televizor, madje nuk ka lexuar asnjë gazetë, ndaj dhe sinjale të ndryshme që i vijnë janë nga jashtë, nga të afërm të saj. I vetmi shqetësim i saj ka qenë se me çfarë shpejtësie ka ecur makina, se i kishte pohuar se ka qenë me 25 km/orë, fakt që është hedhur poshtë nga të dërguarit e Prokurorisë së Korçës, të cilët i kanë deklaruar se për këtë çështje ende është në pritje ekspertiza amerikane.