Pa Nënë Terezën kombi do ishte jetim në këtë 100 vjetor
Të nderuar klerikë.
Zonja Kryetare e Parlamentit.
Zotërinj deputetë.
Të nderuar të pranishëm.
Të dashur qytetarë dhe qytetare shqiptarë kudo që jeni.
Në këtë ceremoni modeste, ne nderojmë sot në 15 vjetorin e ndarjes nga jeta dhe në 100 vjetorin e pavarësisë së vendit, nënën, motrën, gruan, që pas Shën Mërisë është dhe mbetet gruaja më e njohur , më e dashur , më njerëzore, më fisnike e krishterimit dhe njerëzimit.
Ndaj dhe falënderimi i parë është për Zotin, që i dha kombit dhe njerëzimit në shekullin XX , një simbol kaq të fuqishëm të moralit njerëzor, të përkushtimit njerëzor, të dashurisë njerëzore.
Në këtë 15 vjetor të ndarjes së saj nga jeta dhe të kalimit në përjetësi, çdo shqiptar përulet para saj me nderimin më të madh, pasi kur hedh sytë në 100 vitet e fundit, por edhe në shumë shekuj, gjen dritën e saj, gjen nderin e madh, që ajo i bëri nënës shqiptare, motrës shqiptare, por që i bëri njeriut dhe njerëzimit në tërësi.
Ndaj dhe le ti themi asaj me gjithë zemër, Faleminderit Nënë Tereza.
Na dhe nder kur vuanim për të, kur nuk e kishim, kur në botë nga një regjim barbar përcillnim lajmet më të përçudnuara, më poshtëruese, kur në një histeri të paparë rrënonim kisha, tempuj e libra të shenjta, ti qëndroje si dëshmitare e shpirtit të këtij kombi, e vlerave të mëdha shpirtërore të këtij kombi.
Faleminderit se kurrë nuk e mohove.
Këto 20 vite kam takuar, jo pak personalitete të mëdha shqiptare në botë, prej tyre me sinqeritet ka patur dhe që më kanë rrëfyer, -“Sali për ne ishte e pamundur të pohonim se jemi shqiptarë me origjinë, sepse me ato që ndodhnin në Shqipëri, Shqipëria ishte bërë simbol poshtërimi, përçmimi dhe ne nuk e gjenim veten , nuk gjenim kurajën shpirtërore t’ju thonim miqve tanë amerikan apo të tjerë, të pohonim përkatësinë tonë shqiptare”.
Kurse ti në çdo minutë, në çdo orë, çdo ditë, kudo shfaqeshe krenare me nënën tënde , me familjen tënde, me babain tënd, me kombin tënd.
Dëgjoje marrëdhëniet e saj me vendin, diktatura e konsideroi atë një rrezik kombëtarë, nuk e lejoi kurrë, përveçse në vitet e saj më të fundit, që të vizitonte Shqipërinë e saj të dashur, nënën e saj të dashur, motrën e saj të dashur, por duhet të jem i sinqertë, ajo është Nënë Tereza e Kalkutës dhe nuk duhet të kemi xhelozi.
Ata, të cilët kanë vizituar këtë qytet dhe unë jam njëri prej tyre që e vizitova me rastin e ndarjes nga jeta të Nënë Terezës, do të shohin se në rrugët, rrugicat, sokaqet e saj vërshojnë dhimbjet më të mëdha njerëzore. Në rrugët, rrugicat, sokaqet e saj është braktisja njerëzore, kështu që Nënë Tereza, nuk mund të ishte askund në planet siç jua çoi Zoti Shqiptarëve, për tu bërë simbol i shpirtit të tyre. Zoti, e çoi atë në Kalkuta për tu përballur në vendin më të vështirë, me dhimbjen, sakrificën njerëzore.
Zonja dhe zotërinj.
Dua të falenderoj Nënë Terezën me një mirënjohje të pakufishme se ajo u shndërrua në ikonë e forcës së pakufishme të dashurisë njerëzore, të përkushtimit njerëzor. Më shumë se kushdo tjetër në shekullin që jetoi. Kombi në këtë 100 vjetor pa Nënë Terezën do të ishte jetim. Sot duke e nderuar atë është krenar për vajzën, gruan, nënën, që i dhanë mbarë njerëzimit.
Faleminderit”.
Fjala e Kryeministrit, në seancën e posaçme në nderim të veprës së Nënë Terezës