Shqiptarët janë fatlumë që patën humanisten Nënë Tereza – vepra e saj frymëzon
Në këtë 100 vjetor të shtetit shqiptar Kuvendi i Shqipërisë përkujton me krenari burrat e gratë që shkrinë jetën për kombin. Shekulli që lamë ishte shekulli i errësirës së gjatë, shekulli i luftërave të çmendura, shekulli i pabesive, i tallazeve dhe i diktaturave monstruoze. Por në errësirën e këtij shekulli, kombi lindi burra e gra, që gati hyjnisht shndritën rrugën e Kombit e atë të njerëzimit. Gonxhe Bojaxhiu është njëra, padyshim më e madhja shqiptare e të gjithë kohëve që iluminon me veprën e saj të dhembshurisë. Prandaj sot jam, më përultazi se asnjëherë për të thënë dy fjalë me rastin e 100 vjetorit të flamurit e të 15 vjetorit të humbjes së mundësisë për një takim fizik me Nanën Terezë. Të varfrit thoshte ajo, janë njerëz të mëdhenj. Ato mund të na mësojnë ne, gjëra të mrekullueshme. Dhe këto mund të jenë njerëz që mund të mos kenë për të ngrënë, ndoshta ato nuk kanë një shtëpi ku te jetojnë, por ato janë njerëz të veçantë. Të varfrit kanë shpirt të madh. Pikërisht, mes këtyre njerëzve ajo ndjeu thirrjen e përkushtimit. Me kujdesin e shërbimin ndaj të sëmurëve, lebrozëve, të burrave e grave që po vdisnin rrugëve të Indisë, të fëmijëve jetimë, të braktisurve Ajo e kaloi gjithë jetën e saj. Ajo e motrat e saj e shihnin punën e tyre si një detyrë të bekuar (cherished) dhe jo si një barrë. Një herë ajo tha: “Gjatë këtyre viteve, mes këtyre njerëzve, gjithnjë e më shumë kam kuptuar se, të jesh i padëshiruar, është sëmundja më e keqe që qenia njerëzore mund të eksperimentojë”. Ajo besonte se sëmundja me e keqe nuk është të jesh lebroz, por ndjesia e të qenit i padëshiruar dhe i braktisur dhe i shkretum nga të gjithë. Presidenti i Indisë thoshte për të: “Nënë Tereza është një nga ato shpirtra të çliruar, që ka kapërcyer të gjitha pengesat mes racave, besimeve fetare, e kombësive”. Kurse Presidenti Regan, kur i dorëzoi medaljen e lirisë i tha: “Ndoshta është hera e parë, që po jap këtë medalje me intuitën se ajo do e marrë për ta shitur, për të ndihmuar të varfrit”. Zoti i dhuroi kombit tonë bijën më të dashur, dhe njerëzimit princeshën e dhembshurisë. Puna dhe vepra e saj vazhdon të inspirojë miliona njerëz në botë. Vepra e saj është ajo e një prijësi. Për gjithë këtë kontribut të pashembullt të saj, murgeshën e vogël me zemër të madhe, nobelisten e Paqes dhe simbolin e dashurisë për të varfrit, të sëmurët dhe të braktisurit, Ati i Shenjtë, Gjon Pali i Dytë vendosi, që më 13 tetor 2002, ta shpallë “Të Lume”. Duke shpallur “Të Lume” këtë bijë shqiptare, të cilën mbarë bota e njohu dhe e quajti Nënë, ai na ka dhuruar ne posaçërisht, bashkëpatriotëve të saj këtë shans fatlum reflektimesh të herë pas hershme. Në arsyetimin e këtij vendimi historik për beatifikimin e Bijës Shqiptare - Gonxhe Bojaxhiu, përmenden edhe 122 mirënjohje ndërkombëtare, përveç Çmimit Nobel për Paqe, më 1979. Nënë Tereza (Gongje Bojagji) u bë nëna e gjithë botës. Qindra politikanë ishin tepër të lumtur kur takoheshin me këtë Nanë të madhe edhe atëherë kur Shqipëria komuniste e diktatorit me antishqiptar të shekujve, ia mbylli dyert e vendlindjes, madje arriti deri atje qe ta quante edhe shtrigë, agjente e Vatikanit, duke i hedhur përgjatë jargët e helmit. Ajo nuk u lejua që t’i jepte lamtumirën e fundit prindërve të saj, as edhe të hidhte një grusht dhè mbi varrin e njeriut më të shtrenjtë që ajo kishte, nënën e saj. Por prapëseprapë Nana jonë e madhe nuk i blasfemoi. Por ky regjim nuk mund ta pengonte të lutej për prindërit e saj, nuk e ndaloi që t’i lutej edhe për persekutorët e saj. Nuk e ndaloi dot Gonxhen t’i lutej zotit për popullin e saj! Ishte ajo që edhe pse e përjashtuar nga atdheu i vet, kur mori çmimin e madh Nobel për Paqen me krenari të pacak tha: “Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar dhe lus Zotin që paqja dhe dashnija e tij të jetë në zemrat tona në çdo familje”. Do të mjaftonte qoftë edhe vetëm episodi që rrëfen njeriu që më shumë se kushdo, e ka njohur dhe i ka ndenjur pranë Nënë Terezës, i cili na tregon sesi në një ditë maji të vitit 1991, Nënë Tereza vizitoi sanktuarin e Zonjës së Këshillit të Mirë në Genazzano, afër Romës. Në këtë kishë të shenjtë për shqiptarët, ruhet ende sot ikona e Zojës së Shkodrës, që dikur zbukuronte altarin e katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër dhe që pas pushtimit turk, më 1478, të ikurit shqiptarë e sollën me vete në tokën italiane. Pio Laghi, duke vazhduar rrëfimin thotë se Nënë Tereza pasi përfundon lutjet para ikonës, iu drejtua asaj me një zë të rëndë, që atij i ishte dukur si një urdhër: “And noë come back to Albania” (Dhe tani kthehu prapë në Shqipëri). Dhe së fundi e për ta mbyllur këtë përsiatje të shkurtë më vjen ndërmend t’ju kujtoj një fjali të një shkrimtari që thotë se “Asnjeri nuk mund të quhet i plakur për sa kohë që e ka nanën gjallë”. E në këtë rast unë kisha me thanë se asnjë komb nuk mund të quhet i plakun për sa kohë që e ka Nanën e vet të lumnueme.
...