Ryker: Shqipëria, partner i besueshëm i SHBA - mbështesim reformat e integrimit
Zëvendës-Ndihmës/Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështje të Europës dhe Euroazisë, z. Philip T. Reeker, në ditën e parë të vizitës pesëditore, konfirmoi aleancën strategjike mes Shqipërisë dhe SHBA-së. Ai mbështeti kursin e fortë të reformave dhe inkurajoi një klimë mirëbesimi në politikë, pasi sipas tij, javët e ardhshme, janë kritike në rrugën e integrimit
Berisha: “Jemi të vendosur për të bërë çdo gjë për zgjedhje të lira e të ndershme”
“Shqipëria është një partner i besueshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ne mbështesim kursin e saj të reformave në kuadër të integrimit evropian”. Kështu u shpreh dje në Tiranë Zëvendës Ndihmës Sekretarin amerikan i Shtetit, Filip Riker, gjatë një deklarate të përbashkët për shtyp me kryeministrin Sali Berisha. Kreu i qeverisë shqiptare, Berisha e njohu diplomatin amerikan me reformat, problematikën që përballet vendi ynë si edhe me konsolidimin e pavarësisë së institucioneve. Kryeministri Berisha
shprehu angazhimin e qeverisë së tij për të bërë gjithçka në mënyrë që të meritojmë statusin kandidat. “Unë e njoha zotin Reeker me të gjitha reformat e ndërmarra, me problematikën që ne përballemi dhe që ekziston, më vendosmërinë e qeverisë për të merituar statusin e vendit kandidat dhe me vendosmërinë e qeverisë për të bërë çdo gjë për zgjedhje të lira e të ndershme, si dhe ftesën time ndaj qeverisë dhe institucioneve të Shteteve te Bashkuara, për një prani sa më të gjerë të tyre në zgjedhjet e ardhshme. Një çështje e veçantë e diskutimeve me zotin Reeker ishte dhe konsolidimi i pavarësisë së institucioneve të vendit. Unë e garantova atë se mbetemi plotësisht të vendosur të punojmë për pavarësinë dhe funksionimin e tyre dhe, e falënderova për shkallën e shkëlqyer dhe ndihmën shumë të madhe që Shtetet e Bashkuara të Amerikës u japin këtyre institucioneve, për funksionimin e tyre më të mirë” - u shpreh kryeministri Berisha.
Shefi i ekzekutivit veçoi se në takimin me z.Riker ka diskutuar edhe për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, ndërsa pohoi se ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj SHBA-ve, për mbështetjen e madhe që i kanë dhënë Shqipërisë në rrugën e saj të konsolidimit të demokracisë dhe përmbushjes së aspiratës euro-atlantike. “Në këtë takim, ne diskutuam për marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis dy vendeve dhe kombeve tona dhe potencialin e madh që ekziston për konsolidimin dhe zhvillimin e tyre të mëtejshëm. Për mua ishte një rast shumë i veçantë për t’i shprehur zotit Reeker, Sekretares së Shtetit Clinton dhe Presidentit Obama, mirënjohjen më të thellë të Shqipërisë dhe shqiptarëve, për të gjithë mbështetjen e madhe që i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë, në përpjekjet për ndërtimin e demokracisë, bazuar në vlerat e tregut, anëtarësimin e saj në NATO dhe në projektin aktual më madhor, anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Në këtë takim, unë e sigurova zotin Reeker se, në bindjen time më të thellë, mënyra më dinjitoze dhe më e shkëlqyer që Shqipëria të shprehë mirënjohjen ndaj kësaj mbështetjeje të madhe, është të përkushtohet ndaj vlerave që ne ndajmë si shoqëri të lira, mënyra më e mirë është që në këtë 100 vjetor, në të cilin shqiptarët ndihen krenar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si mikun më të mirë, më të rëndësishëm, që kanë në botë, të punojnë për të zhvilluar vlerat që kanë bërë të madhe demokracinë amerikane, që kanë bërë të madh kombin amerikan” - theksoi Berisha. Përmes z.Riker, kryeministri ka ftuar për një vizitë në Shqipëri Sekretaren e Shtetit Clinton. “Shfrytëzova rastin për të përsëritur edhe njëherë ftesën për Sekretaren e Shtetit Clinton, për të vizituar Shqipërinë, si një mike e madhe dhe e shquar e Shqipërisë dhe e shqiptarëve” - tha më tej Berisha në konferencën e përbashkët për shtyp me zyrtarin amerikan, Philip T. Reeker.
Philip Reeker
Zëvendës Ndihmës Sekretarin amerikan i Shtetit, Filip Riker duke e vlerësuar Shqipërinë si një partner të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara dhe tha se javët e ardhshme janë të një rëndësie të veçantë, pasi janë thelbësore reformat që duhet të ndërmerren në kuadër të aspiratës për integrim në Bashkimin Evropian. Riker tha se Uashingtoni pret të shohë përparim në vijimin e reformave dhe respektimin e pavarësisë së institucioneve demokratike. “Si gjithmonë, patëm mundësinë të diskutonim për perspektivën evropiane të Shqipërisë, zhvillimet në rajon dhe unë gjithmonë çmoj pikëpamjet e Kryeministrit për rajonin dhe më gjerë në botë. Uashingtoni mbetet i përkushtuar ndaj demokratizimit të vazhduar të rajonit si dhe integrimit të tij euro-atlantik. Siç i thashë Kryeministrit, Uashingtoni do ta ndjekë vitin që vjen nga shumë afër. Presim të shohim përparim të vazhduar me reformat, si dhe respektim të pavarësisë së institucioneve demokratike; veçanërisht javët që vijnë do të jenë kritike. Janë kritike për të demonstruar përparimin lidhur me reformat dhe një seriozitet qëllimi që kapërcen politikën dhe pasqyron interesat dhe dëshirat më të mira të popullit shqiptar. E falënderoj përsëri Kryeministrin për bujarinë e tij me kohën sot dhe shpreh përsëri gëzimin dhe mirënjohjen për këtë mundësi vizite në Republikën e Shqipërisë”- u shpreh Zëvendës Ndihmës Sekretarin amerikan i Shtetit, Filip Riker. Z.Riker shtoi se në takimin e tij me kryeministrin Berisha u theksua se, “marrëdhëniet mes dy vendeve janë të forta”. “Është vërtet një nder të kthehem në Shqipëri dhe veçanërisht në këtë vit të njëqindtë të pavarësisë së Shqipërisë. Kryeministri dhe unë folëm vërtet për marrëdhënien e fortë dypalëshe midis dy vendeve tona. Shqipëria është një partner i besueshëm i Shteteve të Bashkuara” - deklaroi ai.
Filip Riker theksoi se, SHBA vlerëson kontributin e Shqipërisë për sigurinë ndërkombëtare me prezencën e saj ushtarake në Afganistan dhe më gjerë. “Shtetet e Bashkuara vlerësojnë kontributet e qëndrueshme të qeverisë për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë kontributet për misionin ISAF dhe vendosjen e stabilitetit në Afganistan”.