Berisha: Nënë Tereza i dha nder kombit shqiptar, kur ata nuk e kishin, kur vuanin për të

Kuvendi e nisi nderimin e figurave të kombit në 100 vjetorin e pavarësisë, me një seancë-homazh për humanisten shqiptare Nënë Tereza, në 15 vjetorin e shkuarjes së saj në amshim. Botimi i posaçëm i parlamentit “Aktet themeluese të Shtetit Shqiptar, 1912-1922” del në dritën e kremtimeve për 100 Vjetorin e Pavarësisë dhe mban logon zyrtare të përvjetorit Jubile, një emblemë e gdhendur krejtësisht me dorë dhe e larë në ar
Kuvendi i Shqipërisë në kremtimin e 100 Vjetorit të Pavarësisë nën kujdesin e veçantë të Kryetares Jozefina Topalli organizoi dje një seancë të veçantë, për misionin e Nënë Terezës, Gonxhe Bojaxhi, humanistes së madhe shqiptare e nderuar edhe me çmimin Nobel për Paqen. Me këtë rast, të ftuar ishin Kryeministri Sali Berisha, përfaqësues të Misionit Nënë Tereza në Shqipëri, klerikët më të lartë të tri besimeve fetare, të afërm të familjes së Nënë Terezës, deputetë dhe personalitete të fushave të ndryshme. Në çelje të seancës një dokumentar përcolli momentet më kulmore të misionit të bamirëses më të shquar të njerëzimit, e nderuar me çmimin Nobel dhe 10 vite më parë, e lumturuar nga Selia e Shenjtë e Vatikanit. Në nisje të kësaj seance, kryetarja e Kuvendit, Topalli tha se në këtë 100 Vjetor të Pavarësisë, Kuvendi i Shqipërisë përkujton me krenari burrat e gratë që shkrinë jetën për kombin. Ajo vlerësoi humanisten shqiptare, Nënë Tereza për veprën e saj me impakt botëror, në përpjekje për të shpëtuar jetë njerëzish në misionin e saj human. Topalli theksoi se “Nënë Tereza është nëna e gjithë botës”. Sipas saj, “Zoti i dhuroi kombit tonë bijën më të dashur, dhe njerëzimit princeshën e dhembshurisë”. Kryeministri Sali Berisha në fjalën e tij falenderoi dhe shprehu mirënjohjen më të thellë Nënë Terezës, që nuk harroi as edhe një moment të tregonte para botës, me krenari, origjinën e vet shqiptare. Kryeministri Berisha tha se “Nënë Tereza është simbol i fuqisë së moralit, i dashurisë njerëzore, gruaja më e njohur pas Shën Mërisë, më e dashur, më fisnike dhe njerëzore për të gjithë krishterimin dhe njerëzimin. Ndërkaq, gjatë seancës një nga njerëzit më të afërt të familjes së Nënë Terezës në Shqipëri, zonja Iris Kraja solli për të pranishmit emocionet e paharruara, të vizitës së parë, të Nënë Terezës në Shqipëri. Ajo tha se kjo bamirëse fisnike, shërbëtore e gjithë njerëzimit, hapi shtëpi për të varfrit në 125 vende të botës. Në mbyllje të seancës solemne, Kryetarja e Kuvendit dhuroi në shenjë nderimi për misionin e Nënë Terezës, një prej motrave të misionit të saj në Shqipëri, “Aktet themeluese të Shtetit Shqiptar, 1912-1922”. Ky botim i posaçëm i Kuvendit të Shqipërisë, del në dritën e kremtimeve për 100 Vjetorin e Pavarësisë së shtetit Shqiptar. Ai mban logon zyrtare të përvjetorit Jubile, një emblemë e gdhendur krejtësisht me dorë dhe larë në ar.
...