E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pa armiq, pa urrejtje

Liu Xiaobo, fitues i çmimit Nobel për paqe, do t’i botojë, për herë të parë, shkrimet e përmbledhura të përkthyera në gjuhën angleze.

Shkrimet e përmbledhura të laureatit kinez të çmimit Nobel për paqe, Liu Xiaobo, janë përkthyer në gjuhën angleze për herë të parë, por nuk do të ketë intervista, nënshkrime të librave apo paraqitje nëpër festivalet letrare. Autori madje nuk është në dijeni të përkthimit në anglisht, për shkak se ai mbetet i burgosur në një burg kinez dhe gruaja e tij është nën arrest shtëpiak.

Liu, i cili vitin e kaluar e fitoi çmimin Nobel për paqe, është duke e kryer një dënim 11-vjeçar, që ka filluar në vitin 2009 për ‘nxitje të përmbysjes së pushtetit’. Miqtë nuk kanë arritur të kontaktojnë me gruan e tij, Liu Xia, megjithëse ajo nuk është paditur për asgjë.

Ish profesori 55-vjeçar në Universitetin e Beijing-ut vazhdimisht është ndaluar apo arrestuar dhe është dënuar gjatë viteve për aktivitetet e tij politike të papërkulshme por paqësore, duke bërë thirrje për reforma demokratike, përfshirë lirinë e shprehjes dhe duke e kundërshtuar trajtimin që Kina po i bënë Tibetit. Ai nuk ishte lejuar që të shkojë në ceremoninë e dhënies së Nobelit, ndërsa në funeralin e babait të tij në fillim të këtij viti atij i ishte ndaluar që të flasë me ndokënd.

Por, megjithëse i heshtur në Kinë, zëri i tij do të dëgjohet përsëri në perëndim me përmbledhjen e parë në gjuhën angleze të eseve dhe poezive të tij, të cilën do ta botojë në janar Harvard University Press nën titullin ‘No Enemies, No Hatred’ (Pa armiq, pa urrejtje).

Vëllimi 345 faqesh gjithashtu do të përfshijë ‘fakte’ të përmendura kundër tij nga gjykata kineze, e cila e kishte dënuar. Botuesit e përshkruajnë librin si një imazh kritik nga brenda i Kinës bashkëkohore sikurse edhe si pikëvështrime krahasuese të kulturave lindore dhe perëndimore.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›