Pa marrëveshje me Prishtinën, kandidatura e Serbisë e paarritshme

Kjo agjenci shkruan se është e nevojshme që Serbia të arrijë marrëveshje me Prishtinën për përfaqësimin rajonal të Kosovës. Nëse e lëshon shkurtin, Serbisë do t’i duhet ta pres dhjetorin për kandidaturë.
"Ne presim përparim në dialog deri në gjysmën shkurtit”, ka thënë një burim i afërt me misionin gjerman në Bruksel. Në të kundërtën, ka thënë burimi “nuk do të mund ta përkrahim kandidaturën Serbisë në fund të shkurtit".
Njëri nga kushtet e para është vazhdimi i dialogut dhe arritja e marrëveshjes për përfaqësimin rajonal të Kosovës.
Dialogu, ka më shumë se dy muaj që është ndërprerë për shkak se palët nuk janë pajtuar rreth mënyrës së përfaqësimit të Kosovës, për të cilin Serbia ka insistuar që nën emrin e saj të figurojë rezoluta 1244.
Burimi i Tanjugut ka potencuar se ministri gjerman i punëve të jashtme, Guido Vestervele gjatë takimit me homologun e tij serb, i ka përkujtuar atij se afatit të përcaktuar për Serbinë, po i afrohet fundi.
Edhe burime të tjera diplomatike konfirmojnë se Serbia vështirë të mund të marrë statusin pa marrëveshje për përfaqësimin e Kosovës.
Ministrat e jashtëm të BE-së takohen më 29 shkurt në Bruksel për të shqyrtuar nëse Serbia i ka plotësuar kushtet që ai ka vënë Këshilli Evropian.