Edvini zhduku kasetën me xhirimin e incidentit të dhunshëm të Vjenës

Hetimi parlamentar/Egin Ceka jep dorëheqjen nga shërbimi diplomatik pasi është cenuar në dinjitet. Ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi: “Incidenti i Vjenës, akt i paprecedentë - prishi imazhin e vendit”
Komisioni Hetimor për hetimin e fakteve, rrethanave dhe përgjegjësive për incidentin e ndodhur më 24 prill 2013 pranë Akademisë Diplomatike të Vjenës mes kreut të PS Edi Rama dhe diplomatit Egin Ceka ka thirrur të dëshmojnë të përfshirët në ngjarje dhe persona që kanë dijeni. Në këtë seancë ka nisur dëshminë e tij diplomati Egin Ceka si i përfshirë në ngjarje, duke qenë se Rama nuk ka pranuar të dëshmojë. Në fjalën e tij, Ceka sqaroi ngjarjen, ndërsa pranoi edhe njëherë se kryesocialisti Rama e ka dhunuar fizikisht dhe e ka fyer, madje sipas tij, Rama ka pasur me vete një kameraman që ka filmuar gjithë aktivitetin. “Më 24 prill 2013 në Akademinë e Vjenës u organizua një aktivitet me zotin Rama, aty kishte diplomatë të ndryshëm. Ai përsëriti tezën që shërbimi diplomatik është tejet i politizuar. Duke mos pasur autorizim kërkova të flas pas mbledhjes me të, që të mos dukej edhe si ndërhyrje politike. Pas takimit iu prezantova, i shpreha mendimin se teza e tij nuk reflekton realitetin. Ai s’u përgjigj më tha se kush më kishte dërguar dhe se duhet të largohesha nga kjo sallë”, theksoi Ceka. Sipas tij, “Rama ka pasur me vete një kameraman që ka filmuar gjithë aktivitetin dhe ndoshta ka filmuar edhe incidentin”, prandaj i kërkoi komisionit të hetojë për këtë. Ceka më tej shton se diplomatët e tjerë që ndodheshin aty nuk mbajtën anën e asnjërit.
Ndërsa shton se, “Kur Rama mori vesh djali i kujt isha më theksoi, “se i biri i Neritanit je ti, si i ati dhe i biri”. Egin Ceka deklaroi se jep dorëheqjen e parevokueshme për shkak se është cënuar integriteti i tij si diplomat. “Mbetet e pakuptueshme arsyeja pse një pjesë e publikut dhe mediat, pranon ekseset e një njeriu të paekuilibruar, ku është ky kufi dhe pse janë të gatshëm të cënojnë integritetin e një diplomati. Episodi në fjale duhet të jetë sirenë alarmi për mbrojtjen e një diplomati shqiptar, por dhe për mbrojtjen e vlerave të publikut shqiptar. Rilindja është të kesh guximin ti thuash çdo kujt atë që mendon. Kam qenë dhe mbetem, njëri i lirë dhe i pavarur. Vlerësoj integritetin tim si të panegociueshëm. Kam punuar në diplomaci me ndërgjegje. Jam i kënaqur me arritjen time këto 4 vite. Jap dorëheqjen e parevokueshme nga shërbimi im në diplomaci”, deklaroi Ceka.
Ndërkaq në Komisionin Hetimor ka dëshmuar edhe ambasadori shqiptar në Vjenë Vili Minarolli, i cili parashtroi ftesën e ardhur nga organizatori i aktivitetit Fate Velaj për të marrë pjesë në këtë takim. Minarolli vlerësoi se takimi kishte probleme me organizimin teksa theksoi se incidenti ishte i panevojshëm. Ambasadori Vili Minarrolli sqaroi më tej momentin e incidentit mes Cekës e Ramës ndërsa tha, kreu i PS-së duhej të kishte ruajtur qetësinë. “Zoti Ceka i është afruar zotit Rama kur kishte mbaruar gjithçka për të mos e marrë si provokim. Iu afrua për të biseduar miqësisht. Rama do ketë pasur ndonjë tension për takimin që linte për të dëshiruar, u nevrikos më parë për përkthimin se e kuptoi që nuk po bëhej siç duhej. Rama ndërhynte se fjalët nuk po i përktheheshin mirë, kishin gjetur një përkthyese shqiptare nga Maqedonia, por që kishte lindur në Austri e që s’dinte mirë shqip. Ai përfaqëson opozitën shqiptare dhe nuk duhet ta humbte qetësinë e zakonshme. Eginit t’i thoshte të fala Neritanit dhe të mos krijonte atë incident të panevojshëm. Ai la një shije të keqe në atë sallë”, theksoi Minarrolli.
Gjithashtu në komisionin në Komisionin Hetimor ka dëshmuar edhe ministri i Jashtëm Aldo Bumçi, i cili e cilësoi incidentin e ndodhur në Vjenë si një akt të paprecedentë që prish imazhin e Shqipërisë. “Ne jemi informuar zyrtarisht nga ambasada jonë në Vjenë dhe media. Mendoj se zoti Ceka dhe të tjerë bënë një përshkrim të ngjarjes. Ngjarja ndodh në Akademinë Diplomatike të Vjenës në prani si të shtetasve shqiptarë dhe të huaj. Ngjarja ka ndodhur në prani të personave që janë dëshmitarë okularë, por është pasqyruar edhe në shtypin e huaj austriak. Ngjarja është shumë e rëndë dhe e shëmtuar për cilido, kur konsiderojmë se në ngjarje është përfshirë kryetari i opozitës dhe ka ushtruar dhunë ndaj një diplomati shqiptar. Ngjarja është e paprecedentë dhe ka dënuar rëndë imazhin e Shqipërisë. Cështja tjetër, lidhet me sulmin që i është bërë trupit diplomatik shqiptar. Asnjë arsye nuk përligj sulmin që Rama i ka bërë diplomacisë”, theksoi ministri, i cili vlerësoi figurën e Egin Cekës dhe shërbimit të jashtëm shqiptar.