Petro Koçi: U ripërjashtova nga PS, Rama gaboi me Malajn

Duke qëmtuar andrallat e listës së përjashtimeve nga opozita
“Në njëfarë mënyre ndihem i përjashtuar nga Partia Socialiste”. Kështu u shpreh në një prononcim për mediat, ish-kreu i PSV91, Petro Koçi në lidhje me përbërjen e listës së kandidatëve për deputete të Partisë Socialiste. Lidhur me PSV91, Koçi bëri me dije se subjekti partiak është në garën politike. “Subjekti është në garën politike se u vendos që të mos largohet nga identiteti. Ka shumë njerëz aty që nuk duan që unë të jem në PS”. Më pas Petro Koçi komentoi më tej listat e kandidatëve për deputetë të PS duke vlerësuar se ndër to nuk duhet të ishin bërë ndryshime radikale. Mandej, Koci cilësoi se dhe përjashtimi i Malaj dhe kandidimi i këtij të fundit, si i pavarur, ishin tërësisht të gabuara. “Mendoj se në këtë rang zgjedhor nuk duheshin të bëheshin ndryshime radikale. Ishin futur shumë të rinj dhe pa u bërë listat dhe nuk kishte nevojë për përmbysje të reja, unë besoj se kriteri bazë duhet të ketë qenë impakti elektoral nga figurat përkatëse. Në rastin e zotit Malaj nuk ishte sinjal i mirë. Nuk ishte mesazh integrimi, por përjashtimi. Në kuptimin, që ne tani po përgatitemi për qeverisjen e re dhe nuk ishte mesazh shumë i mirë. Por nuk jam dakort as me kandidimet e pavarur, por gjykoj se janë zhvillime jopozitive dmth si të them janë dy gabime në një ditë, që mendoj se nuk duhet të kishin ndodhur. Nuk duhet të kishin shkuar gjërat deri aty”. Kurse lidhur me të larguarit apo përjashtuarit nga PS, Petro Koçi theksoi se këtu ka dallime të mëdha dhe se nuk duhet krahasuar Islami me Dogjanin e Kadelin. “Dua të bëj dallim nga Islami dhe të tjerët. Islami u përjashtua dhe nuk ka arsye t’i kërkojë njeri llogari nga partia. Dikush që u sakrifikua për PS, siç ndodhi në parlament, nuk e di pse gjetën Islamin se ai nuk ngjan as si boksier. Ndryshon puna me të tjerët. Ata nuk ishin përjashtuar nga partia, por nga gara elektorale dhe atyre mund t’u kërkohej llogari, por jo Islamit. Dhe protesta para shtëpisë së atij, ishte një autogol për PS dhe një pikë më shumë për zotin Islami”.