Pa viza, Berisha: Shqiptarëve iu rikthye identiteti evropian

Rinas, Berisha përcjell studentët drejt Brukselit. “Rama dështoi në përpjekjen për bllokimin e vizave”
Kryeministri Sali Berisha përcolli dje në mëngjes për në Bruksel një grup studentësh, gjimnazistësh dhe gazetarësh, që së bashku me ministrin e Brendshëm Lulzim Basha kanë programuar një vizitë në institucionet e vendimmarrjes evropiane. Në ditën e parë të udhëtimit pa viza, Kryeministri shpjegoi simbolikën e udhëtarëve të rinj.
“Nuk mund të nisej kush para tyre, sepse gjithnjë, sa herë gjendem midis tyre, në sytë dhe fytyrën e tyre shoh Evropën. Dhe faktikisht, ata janë fytyra evropiane e Shqipërisë. Kështu që ata sot (dje) ulen në Bruksel si evropianë të vërtetë”, - tha Berisha. Për Kryeministrin e vendit, udhëtimi pa viza i shqiptarëve është jo vetëm një premtim i mbajtur i qeverisë së tij, por ai e konsideron lirinë e lëvizjes si kthimin e vërtetë të shqiptarëve në identitetin evropian.
“Ne shekuj shqiptarët kanë qenë njerëz imperialë, pra i kanë dashur hapësirat. Tani, Evropa është perandoria e vlerave, kështu që gjenden në shtëpinë e tyre”, - tha Berisha.
Ai tha se kjo ditë do të mbahet mend si dita kur u shemb muri i Shengenit për shqiptarët.
“Shqiptarët shkojnë thellësisht të pajisur me dokumente biometrike, të informuar për pikat që duhet të respektojnë. Kemi luftuar me përkushtim, po ashtu kemi punuar për një proces që nuk ka qenë aspak i lehtë, kjo jo se pengesa ishim ne, por ishin një kompleks rrethanash në faktorë të BE-së që ndikuan dhe tek Shqipëria. Ndaj them që nuk ka qenë një premtim i lehtë. Ishte një vlerësim shumë i madh nga ana e BE-së për përpjekjet e qeverisë shqiptare që plotësoi të gjitha standardet që qytetarët shqiptarë të lëviznin njëlloj si qytetarët e tjerë të Evropës”, - deklaroi z. Berisha.
Kryeministri shprehu sigurinë se qytetarët, që nga dje do të mund të udhëtojnë në hapësirën e Bashkimit Evropian, janë më se të informuar për procedurat që ndiqen për të lëvizur pa viza. Ndërsa nga mbledhja e qeverisë, Berisha uroi të gjithë qytetarët shqiptarë për fillimin e lëvizjes së lirë, pa viza në hapësirën Shengen të Bashkimit Evropian. “15 dhjetori, - u shpreh Kryeministri, - do të mbetet në memorien e çdo shqiptari si një nga ditët më të rëndësishme të lirive, të drejtave dhe dinjitetit tonë”.
Për të dëshmuar rëndësinë e kësaj dite Kryeministri solli si shembull një histori personale të një nëne 70-vjeçare, e cila rezulton të jetë edhe shtetasja e parë shqiptare që ka kaluar kufirin, pa viza drejt shtetit fqinj, Greqisë. Por, Kryeministri kujtoi se kjo vendimmarrje, krahas angazhimit të qeverisë, duhej të tejkalonte skepticizmin e shumë vendeve evropiane që nxitej dhe nga një fushatë dezinformuese e opozitës shqiptare. Berisha akuzoi jo për herë të parë liderin socialist se përdori çdo mjet për të penguar liberalizimin e vizave. Kryeministri dha edhe arsyet se pse dështuan të gjitha përpjekjet e opozitës kundër vizave.Këtë mbledhje të qeverisë, Kryeministri e zhvilloi pasi në orët e para të mëngjesit përcolli drejt Brukselit një grup nxënësish dhe studentësh shqiptarë, të cilët së bashku me ministrin Basha u nisën për udhëtimin e parë të tyre pa viza drejt zonës Shengen.