E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet vendore, opozitarët, bojkot KQZ-së

Të zgjedhurit nga opozita nuk marrin pjesë në mbledhje. Miratohet strategjia për edukimin zgjedhor

Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përfaqësues të opozitës, bojkotojnë mbledhjen e komisionit, ku u miratua një projektvendim në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet vendore. Ashtu siç ishte parashikuar një ditë më parë, KQZ zhvilloi dje një mbledhje për të miratuar strategjinë e saj për edukimin e qytetarëve për zgjedhjet vendore të 8 majit. Në këtë mbledhje nuk ishte asnjë nga tre përfaqësuesit e opozitës, përkatësisht nënkryetarja Dëshira Subashi si dhe dy anëtaret, Artan Laze dhe Pandeli Varfi. Qëndrimi i tyre vjen pas debatit të zhvilluar në mbledhjen e kaluara të KQZ-së, ku replikat mes deputetëve bënë që anëtari Varfi më tej dhe dy anëtarët e tjerë të largoheshin nga mbledhja.

Mungesa

Pak ditë më parë, mbledhja e KQZ-së është shoqëruar me debate mes anëtarëve. Anëtari Pandeli Varfi, duke u bazuar në projektvendimin e paraqitur, kërkoi më shumë informacion në lidhje me funksionimin e kamerave në zgjedhjet e kaluara. Sipas tij, projektvendimi i paraqitur nga administrata ishte shumë i cekët. Por qëndrimi i tij është kundërshtuar nga anëtari i KQZ-së, Hysen Osmanaj. Diskutimi mes tyre ka çuar në replika deri në largimin e Varfit, më tej edhe të Lazes e Subashit. Ky qëndrim është pasuar dhe dje kur në mbledhje kanë munguar të tre përfaqësuesit opozitarë. Pavarësisht mungesës së tyre, KQZ vijoi mbledhjen, duke miratuar projektvendimin që ishte në rendin e ditës. Strategjia ka për qëllim përcaktimin e drejtimeve, formave e mjeteve që duhet të ndjekë KQZ-ja në përmbushje të detyrimit ligjor për edukimin zgjedhor të shtetasve. Struktura në fjalë është konceptuar në tri pjesë. Pjesa e parë trajton tiparet e përgjithshme të saj dhe jep një përshkrim të shkurtër të qëllimit dhe strukturës.

Pjesa e dytë fokusohet në marrëdhëniet e KQZ-së me zgjedhësit, duke synuar evidentimin e të gjitha projekteve të edukimit dhe rrugët e tjera që duhet të ndjekë KQZ-ja, për të ardhur sa më pranë zgjedhësve gjatë vitit 2011, si një vit elektoral. Kjo pjesë, pa asnjë dyshim, konsiderohet dhe më e rëndësishmja në strukturën e strategjisë. Kjo dhe për vetë përcaktimin e qartë e detyrimin ligjor që parashikon Kodi zgjedhor, në nenin 21 pika 9, ku thuhet: “KQZ-ja merr masa dhe organizon edhe programe për edukimin zgjedhor të shtetasve”. Në këtë fazë, konkretizohen të gjitha drejtimet e përgjithshme, specifike dhe afatet e përcaktuara të marrëdhënieve konkrete të KQZ-së me zgjedhësit, marrëdhënie që synojnë mbi të gjitha interaktivitetin. Në këtë kuadër strategjia është e fokusuar në këto drejtime thelbësore: edukimi elektoral i zgjedhësve, informimi dhe sensibilizimi zgjedhor i shtetasve dhe projekte specifike të edukimit të zgjedhësve për njohjen e KQZ-së si institucion në veçanti, por dhe mbi të drejtën kushtetuese ndaj votës në tërësi. Janë pikërisht këto tre drejtime që përbëjnë thelbin e strategjisë që duhet të ndjekë KQZ-ja. Secili drejtim i strategjisë zbatohet në mënyrë të pavarur nëpërmjet projekteve respektive. Ndërsa edukimi është një drejtim më i zgjeruar dhe ndjek projekte të veçanta dhe të detajuara, informimi dhe sensibilizimi janë dy drejtime që trajtohen dhe zbatohen në unison.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›