Shqipëria pa viza, nisen udhëtarët e parë

Më shumë se 350 persona kaluan dje kufirin pa pasur nevojë për një vizë. E para, një 70-vjeçare që viziton të birin në Greqi
360 shqiptarë provuan dje lirinë e të udhëtuarit pa pasur nevojë për një vizë për në vendet e zonës Shengen. Numri më i madh i udhëtarëve e kapërceu kufirin përmes Rinasit, ndërsa mjaft të tjerë kaluan në porte e në pika kufitare tokësore. Vizitori i parë, një grua e moshuar, që kapërceu kufirin në Kapshticë, për të shkuar për herë të parë tek i biri dhe nipërit që kishte vite pa i parë, ndërsa dhjetëra të tjerë kapërcyen kufijtë në Vlorë, Durrës, Kakavijë, por edhe pika doganore më pak të njohura si Qafë-Bota apo Tri Urat.
Fillimisht pika doganore e Kakavijës në Gjirokastër pati probleme, pasi pala greke ktheu pas një pjesë të udhëtarëve, por e kontaktuar nga policia shqiptare u mësua se kthimet ishin për mungesë siguracion shëndetësor për udhëtim, i detyrueshëm në disa shtete të BE-së. Ndërkohë, thuajse në të gjitha pikat e tjera kalimet kanë vijuar pa probleme. Ndërkohë që policia shqiptare merr masat para se të nisë udhëtimi, për të informuar qytetarët se si duhet të paraqiten dhe çfarë duhet të kenë me vete, para se të kalojnë në pikat doganore.
Policia shqiptare njoftoi se “lëvizja e qytetarëve shqiptarë pa viza ka filluar që në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme dhe deri në këto momente të gjithë ato qytetarë shqiptarë që kanë planifikuar të lëvizin drejt vendeve të BE-së me pasaportë biometrike, kanë lëvizur pa probleme”. Kështu, sipas policisë: “Nga Pika e Kalimit Kufitar Porti Durrës me pasaportë biometrike kanë kaluar 3 qytetarë në imbarkimin e natës dhe pritet të tjerë qytetarë të lëvizin gjatë imbarkimit tjetër pasdite”.
Kalime më të dendura sipas policisë ka pasur në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë ku kanë lëvizur me pasaportë biometrike rreth 95 qytetarë shqiptarë. “Nga Departamenti i Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit janë marrë të gjitha masat për një lëvizje normale dhe pa probleme të qytetarëve Shqiptarë. Në kuadër të këtyre masave në të gjitha Pikat e Kalimit Kufitar është dërguar dhe shpërndarë një “kujtesë” mbi rregullat e qëndrimit në vendet Shengen për të gjithë ato qytetarë shqiptarë që do të lëvizin pa viza. Ndërkohë është bashkëpunuar ngushtë dhe me homologët për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve shqiptarë të pajisur me pasaportë biometrike”, - njoftoi policia.
Kapshticë, 70-vjeçarja shkon tek i biri
Një grua 70-vjeçare kaloi e para kufirin me Greqinë. Minutat e para të kalimit pa viza, kjo nënë e pajisur me pasaportë biometrike udhëtoi drejt vendit fqinj për të takuar të birin. Në pikën kufitare të Kapshticës lëvizja e qytetarëve shqiptarë ka nisur një orë para sesa në pikat e tjera kufitare, për shkak se ora lokale në Greqi është një orë para Shqipërisë.
70-vjeçarja nga Tirana ka kaluar kufirin në orën 23.10 minuta, të cilën kishte ardhur ta priste djali i saj, për ta çuar drejt shtetit grek. Liberalizimi i vizave është një nga ngjarjet më të mëdha për Shqipërinë. Data 15 do të thotë dita e lirisë drejt Evropës për shqiptarët.
Lidhur me këtë ditë, Ilir Elezi, drejtor i Përgjithshëm i Pikës Kufitare të Kapshticës, theksoi se qytetarët duhet të bëjnë kujdes dhe të zbatojnë të gjitha rregullat e nevojshme që të mos penalizohen. Ai tha se udhëtimi drejt Greqisë ka nisur që në minutat e para të datës 15. Më tej ai shtoi se nga pala shqiptare janë vënë në dispozicion 7 sportele që do t’u shërbejnë qytetarëve dhe nëse do të jetë e nevojshme, do të merren masa për shtimin e sporteleve.
Vlorë, 200 pasagjerë me biometriken drejt Italisë
Mbi 200 pasagjerë nëpërmjet Portit të Vlorës shkojnë në drejtim të Italisë me dokumentin e vetëm, pasaportën biometrike, në ditën e liberalizimit të vizave.
Dalja e parë në këtë formë u bë nga një çift nga Vlora, Vladimir Ismaili me bashkëshorten, të cilët pas 6 vjetësh do të takonin djalin dhe nipërit e tyre në Torino të Italisë. Ata treguan se kontrolli zgjati fare pak dhe intervista informuese në port nga ana e efektivëve të kufirit ishte shumë korrekte dhe e sjellshme. Policia Kufitare ka marrë masat për përballimin e fluksit në ditët e festave të Krishtlindjeve dhe fundvitit.
Do të operohet me kapacitet të plotë me 8 sportele, 4 për automjete dhe 4 në brendësi të terminalit për pasagjerët. Aktualisht, në Vlorë, operojnë dy tragete të linjës Vlorë – Brindisi. Intervista informuese ka zgjatur fare pak, qëllimi i vizitës, vendi ku do të shkohet, kush të pret dhe a keni mjete financiare. I pari pasagjer në portin e Vlorës doli në orën 9:30, duke i dhënë kështu startin liberalizimit në këtë port.
Kanë kaluar kufirin me pasaportë biometrike 363 qytetarë:
1. Nga Pika e Kalimit Kufitar Porti Vlorë kanë kaluar 47 qytetarë
2. Nga Pika e Kalimit Kufitar Porti Sarandë kanë kaluar 2 qytetarë
3. Nga Pika e Kalimit Kufitar Qafë Botë kanë kaluar 13 qytetarë
4. Nga Pika e Kalimit Kufitar Kakavijë kanë kaluar 23 qytetarë
5. Nga Pika e Kalimit Kufitar Kapshticë kanë kaluar 95 qytetarë
6. Nga Pika e Kalimit Kufitar Tre urat kanë kaluar 4 qytetarë
7. Nga Pika e Kalimit Kufitar Rinas kanë kaluar 176 qytetarë
8. Nga Pika e Kalimit kufitar Porti Durrës kanë kaluar 3 qytetarë
Sot pa viza, çfarë duhet të dini
Udhëzimi i shpërndarë nga Policia Kufitare saktëson:
Nëse ju qytetarë do të udhëtoni tek të afërmit tuaj, ju duhet:
1. Të tregoni të dhënat e personit që ju pret dhe gjeneralitetet si dhe adresa e banimit.
2. Të keni mjete të mjaftueshme financiare me vete në cash apo në kartë krediti për të mbuluar shpenzimet e qëndrimit sipas kuotës së përcaktuar nga vendi ku ju do të qëndroni, ku këto mjete financiare mund të garantohen se mbulohen dhe nga personi që ju pret.
3. Të keni biletën e kthimit me vete
4. Si dhe të keni sigurimin shëndetësor në udhëtim.
Nëse udhëtoni për turizëm, aktivitet biznesi etj:
1. Të keni një rezervim hoteli
2. Të keni mjete të mjaftueshme financiare me vete, në cash apo kartë krediti për të mbuluar shpenzimet e qëndrimit sipas kuotës së përcaktuar nga vendi ku ju do të qëndroni
3. Të keni biletën e kthimit me vete
4. Të keni sigurimin shëndetësor në udhëtim
Nëse udhëtoni për arsye shëndetësore:
1. Duhet të keni një rezervim hoteli ose rekomandimin për shtrim në një institucion shëndetësor në vendin ku do të trajtoheni
2. Të keni mjete të mjaftueshme financiare me vete, në cash apo kartë krediti për të mbuluar shpenzimet e qëndrimit sipas kuotës së përcaktuar nga vendi ku ju do të qëndroni
3. Të keni një korrespondencë me institucionin shëndetësor që ju do të kontaktoni
4. Të keni sigurimin shëndetësor në udhëtim
Nëse duhet të udhëtoni për të marrë pjesë në aktivitete të ndryshme:
1. Të keni ftesë për të marr pjesë në aktivitet
2. Të keni sigurimin shëndetësor në udhëtim
Dhe e fundit kërkesë për të gjithë qytetarët që udhëtojnë pas datës 15 dhjetor thuhet se:
1. Të mos tejkalohen afatet e qëndrimit 90 ditë për 180 ditë
2. Të mos punohet ilegalisht
3. Të mos bëhen barrë publike
4. Të mos përfshihen në aktivitete kriminale.
Nëse nuk plotësohen kushtet e sipërpërmendura, autoritetet kufitare të vendit ku ju po udhëtoni mund të mos lejojnë hyrjen tuaj deri sa ju të plotësoni këto kushte dhe mund t`ju kthejnë menjëherë në Shqipëri.