Paaftësi dhe nepotizëm në gjykata

Gjyqtarët e Gjykatës Themelore të Drenasit, Skënder Zariqi dhe Shefqet Baleci, sipas një burimi të gazetës, i cili ka njohuri mbi zhvillimet e kësaj gjykate, janë të emëruar në mungesë të kapaciteteve profesionale.
Dështimi në zbatimin e ligjeve u rikonfirmua nga Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për përmbushjen e detyrave për liberalizimin e vizave.
Raporti evidentoi sidomos dështimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Drejtësia mbetet ende e pafuqishme të veprojë.
Pohimi nga qytetarët, por edhe zyrtarët e ndryshëm se drejtësia është e korruptuar, e paaftë, apo e lidhur me politikën, shpeshherë komentohet si perceptim, pavarësisht se faktet nuk mungojnë.
Por, për t’i konkretizuar faktet, është sistemi gjyqësor, ai që duhet të ndërhyjë për t’ua sjellë qytetarëve drejtësinë. Për këtë arsye, sistemi i drejtësisë duhet ta fillojë këtë luftë, duke nisur nga vetja.
Por, në këtë situatë, kur ende vijon të minohet procesi i emërimit nga KGJK-ja, duket se është larg dita kur drejtësia do ta nisë gjykimin nga vetja.
Shtrohet pyetja sesi mund ta kemi një gjyqësor të pastër, ndërsa në strukturat e tij vijojnë të emërohen njerëz që më herët kanë qenë pjesë e Kuvendit të Serbisë, njerëz që kanë rënë nga provimi i etikës, apo njerëz që po i shkelin dyert e gjykatave nëpërmjet lidhjeve familjare, shoqërore apo miqësore shkruan kosova sot.
Një sistem gjyqësor problematik me një pavarësi të brishtë me perceptim të ulët të integritetit të gjyqtarëve dhe me një etikë problemore të gjyqtarëve. Kjo është panorama e sistemit gjyqësor në Kosovës./Indeksonline/