E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy institucione të trashëgimisë përplasen për Hamamin e Madh në Prishtinë

Tri javë pas ndërprerjes së punimeve në Hamamin e Madh të Prishtinës pas alarmit se objekti 500-vjeçar po betonizohet, dy institucionet kryesore që merren me fushën e trashëgimisë kanë raporte të kundërta mbi atë nëse punimet mund të vazhdojnë, shkruan “Koha Ditore”.

Më 24 janar të këtij viti, Komuna e Prishtinës si financuese e projektit për restaurimin e Hamamit të Madh kishte ndaluar punimet, përderisa mbikëqyrësi i punimeve, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, kishte kërkuar që të bëhej analiza e betonit të përdorur në muret e brendshme dhe të jashtme. Dy ditë më pas ishte formuar një komision, i cili do të bënte një raport të detajuar për Hamamin, për të cilin gjatë tri fazave të punimeve janë shpenzuar mbi 750 mijë euro. Ani pse rezultatet e llaçit të përdorur në muret e Hamamit ishin paralajmëruar që të arrinin gjatë javës së kaluar, ato kanë arritur tek të enjten.

Sipas Agim Gërgurit, drejtor i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës dhe kryesues i Komisionit, rezultatet e analizave të llaçit të përdorur në fazën e tretë të punimeve në Hamam nuk tregojnë se është përdorur beton. Gërguri - i cili ka pranuar se nuk i kupton rezultatet e analizave pasi janë jashtë fushës së tij - ka thënë se këto analiza do të hyjnë në ekspertizën e komisionit. Ai thotë se më së largu deri në fillim të javës së ardhshme do të dalë me deklaratë përfundimtare nëse duhet vazhduar punimet ose jo.

Megjithatë, Gërguri ka thënë se gjendja në objektin e mbrojtur me ligj nuk është aq alarmuese.

“Nuk është e vërtetë që është betonizuar Hamami. Më shumë është stërpikur me çimento, dhe atë në pjesët ku duhet të kapet llaçi i veçantë që përdoret për mure”, ka thënë Gërguri. Ai nuk ka dashur të jepte ndonjë përgjigje nëse punimet do të mund të vazhdojnë ose jo. “Por sipas të gjitha gjasave nuk do të ketë diçka aq të rëndë saqë t’i ndalë punimet”, ka thënë Gërguri.

Përderisa Komuna e Prishtinës si financuese e projektit dhe Ministria e Kulturës si institucioni kryesor përgjegjës për monumentet dhe ndërhyrjet në to po presin raportin përfundimtar të komisionit të përbashkët, një raport tjetër, i Institutit të Monumenteve dhe Muzeut Rajonal të Prishtinës, e paraqet gjendjen alarmante. Sipas raportit të siguruar nga gazeta, e i cili i është dërguar MKRS-s, Komunës së Prishtinës dhe IMMK-së, ekipi i përbërë prej ekspertësh të arkeologjisë dhe konservimit, kanë arritur në konstatim se aty po punohet me llaç çimentoje në enterier dhe eksterier.

“Muret nga ana e brendshme sidomos në pjesën e kupolave po lyhen me kontakt beton, i cili e pengon ajrosjen e mureve, ndërsa do të duhej punuar me horasan, sikurse në të gjitha hamamet”, shkruhet në raport. Sipas raportit, muret janë shpuar në tërë hapësirën e brendshme për vendosjen e gypave dhe shpërndarjen e kabllove të instalimit elektrik. Në hyrje, shkruhet në raport, janë vendosur dyert e parafabrikuara të cilat në asnjë mënyrë nuk përshtaten me Hamamin. “Në Hamam është punuar pa mbikëqyrje të Institutit të Kosovës, i cili kishte marrë përsipër mbikëqyrjen”, thuhet në raport.

IMMK-ja ka mohuar këtë duke thënë se mbikëqyrja ka qenë e vazhdueshme. Të njëjtën gjë e ka thënë edhe Vlora Dumoshi, drejtoreshë e Departamentit të Kulturës në Komunën e Prishtinës. Por sipas drejtorit të Institutit të Monumenteve dhe Muzeut Rajonal të Prishtinës, Haxhi Mehmetaj, krejt puna e deritashme, veçanërisht faza e tretë, është punuar në mënyrë joprofesionale, me çka monumenti i trashëgimisë kulturore është dëmtuar dhe degraduar.

Punimet e fazës së tretë në Hamam është duke i kryer kompania “Daja Rrah”, pasi vitin e kaluar kishte fituar tenderin me vlerë prej mbi 420 mijë eurosh. Projekti në bazë të të cilit janë zhvilluar punimet në Hamam është i hartuar në vitin 2009 nga kompania “Tasarım Uygulama İnşaat Ticaret Limited Şirketi” nga Turqia.

Në janar të vitit 2009 ishte dhënë tenderi i fazës së dytë për hamamin. Firma “Valoni” nga Podujeva kishte fituar këtë tender me vlerë prej 236 mijë eurosh, teksa Komuna kishte pohuar se ka ndarë 250 mijë euro për të njëjtën fazë. Përpara kësaj ishte dhënë edhe një tjetër tender. Në nëntor të vitit 2007, kompania “Arda Rei” e kishte fituar tenderin në vlerë prej 88 mijë eurosh, për fazën e parë.
E faza e tretë e punimeve kishte filluar pas tenderit të dhënë në korrik të vitit të kaluar me kosto prej 419 mijë eurosh që e ka fituar “Daja Rrah”. Por kontrata mes Komunës dhe kompanisë mban shumën prej 421 mijë eurosh. Me krejt këto del që për renovimin e Hamamit janë shpenzuar mbi 750 mijë euro./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›