E Shtunë, 31 Tetor 2026

shkurt, ekonomi



Qershor 2010, përfundon aksi rrugor Fushë Krujë-Milot

Aksi rrugor Fushë Krujë-Milot vitin që vjen do të kthehet në një autostradë me 6 korsi. Zëvendësministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ernest Noka, ka bërë të ditur dje për median se në qershor 2010 do të mbarojnë punimet për ndërtimin e aksit rrugor Fushë Krujë-Milot. Noka tha dje se shumë shpejt kjo rrugë tepër e rëndësishme, që lidh veriun e vendit me kryeqytetin, do të bëhet me katër korsi për automjetet dhe dy korsi për emergjenca. Sipas tij, puna vijon në të gjithë gjatësinë e saj me një intensitet të lartë. Rruga e re, jo vetëm që do të jetë me gjashtë korsi, por do të ketë edhe trafik-ndarëse betoni. Gjithashtu, në projekt është menduar edhe për rrugët dytësore që kanë qenë në jo pak raste burim aksidentesh. Shpejtësia e qarkullimit të mjeteve në këtë aks do të jetë 100 km në orë. Punimet për ndërtimin e këtij aksi rrugor kanë filluar në fund të muajit dhjetor të vitit 2008, ndërsa pritet të mbarojnë në muajin qershor të vitit 2010, pra do të zgjasin afërsisht 15 muaj. Rruga është ndarë në rreth 10 lote, me një gjatësi mesatare prej 1.7 km secila. Sipas ekspertëve, ndarja në disa lote u bë për të përshpejtuar vëllimin e punimeve, duke pasur parasysh rëndësinë e saj. Vlera mesatare për ndërtimin e një loti shkon afërsisht 550 milionë lekë. Rreth 7 kompani po punojnë për zgjerimin e rrugës dhe sjelljen e saj në parametrat evropiane, ndërsa 2 kompani të tjera merren vetëm me ndërtimin e veprave të artit. Aksi Fushë Krujë-Milot është ndër akset më problematike në vend, ku numri i aksidenteve të shënuara është i lartë. Në një periudhë mujore normale të qarkullimit në këtë aks lëvizin 360.000 mjete, ndërsa në kohën e fluksit të emigrantëve rreth 900.000 mjete e përshkojnë këtë aks.

“Fiera del Levante” sjell në Shqipëri eksperiencën për riciklim mbetjesh urbane

Tirana dhe qytete të tjera të Shqipërisë mund të kryejnë grumbullim mbeturinash në mënyrë të ndarë. Me kosha më vete dhe me ngjyra të veçanta për mbeturinat plastike dhe të metalta, xhamat, letrën dhe kartonin, ushqimet organike, mbeturinat e padiferencueshme apo koshin e pestë për mbetjet e përmasave të mëdha, siç janë mobiliet etj. Këtë metodë të standardeve evropiane në dhënien e përvojës dhe bashkëpunimit e sjell edhe krahina e Puljas. “Pikërisht mjedisi dhe ekologjia, siç ka përmendur së fundi edhe Presidenti amerikan, Barack Obama, do të jenë zhvillimi i së ardhmes pas krizës globale, jo vetëm sepse janë fusha të reja të paeksploruara siç duhet, por edhe sepse kanë një të ardhme të mirë ekonomike”, - u shpreh presidenti i “Fiera del Levante”, Antonio Ciuffreda, pikërisht gjatë ditëve të panairit “Fiera del Levante” që po zhvillohet në Tiranë me tematikën “EcoBiz Expo”. Ndërmarrja publike që kryen këtë shërbim mjedisor në Bari, e quajtur “Amiu”, nëpërmjet drejtorit të saj, Giuseppe Savino, shfaqi në panair eksperiencën e saj të re pesëvjeçare në këtë risi teknologjike. Ndërkohë që Bari është një nga qytetet me prodhim më të lartë mbeturinash, krahasuar edhe me metropolet italiane, ku çdo qytetar shkakton 586 kg mbeturina në vit. Por “Amiu” është e specializuar edhe për pastrimin e bregdetit, mbledhjen e algave, dezinfektimin e ajrit dhe ambientit nga insektet etj. Takimi u mbajt në prani të përfaqësuesve të pushtetit vendor në Shqipëri, si për shembull përfaqësues nga Bashkia e Durrësit, Tiranës apo edhe Përmetit, si dhe shoqata ekologjike shqiptare. Një tematikë e tillë ndezi debate mes përfaqësuesve të pushtetit dhe shoqatave ekologjike. Përfaqësuesja e Bashkisë së Tiranës, Eriola Mukaj, e Sektorit të Politikave Mjedisore, u shpreh se bashkia ka provuar të eksperimentojë grumbullimin e mbeturinave si të ndara në rrugë tregtare, shkolla dhe në një zonë banimi si zonë pilot. “Por nëse në rrugët tregtare dhe shkolla pati një ecuri të mirë, në zonën e banimit pilot nuk u morën rezultatet e pritshme”, - shpjegoi Mukaj. Sipas saj, gjithashtu nga kompanitë e riciklimit të mbeturinave ka edhe të interesuara për lëndën e parë, por ka edhe që nuk kanë pasur fort dëshirë, sepse sasia e mbeturinave ishte e vogël, për rrjedhojë edhe fitimi gjithashtu. Por përfaqësuesi Savino nga Bari u shpreh shumë i interesuar për një takim së pari mes bashkive të dy qyteteve dhe më pas një bashkëpunim i drejtpërdrejtë për realizim projektesh mes Barit dhe Tiranës në këtë fushë. “Megjithatë, për mua është shumë i rëndësishëm ndërgjegjësimi i qytetarëve për këtë zakon të ri, jo fort komod për ta”, - u shpreh Savino.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›