E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pacientët ankohen për kushtet në spitale

08/12/2009  Urdhri i Mjekut, institucionet probleme me buxhetin dhe drejtimin

Pjesën dërrmuese të bazës trajtuese pacienti e siguron vetë

Prej vitesh flitet për ndërmarrjen e reformave dhe nismave në akreditimin e institucioneve shëndetësore në funksion të përmirësimit të cilësisë së shërbimeve, por deri më sot pothuajse asgjë nuk ka ndryshuar. Pacientët vijojnë të ankohen për të njëjtat probleme sa herë u duhet të shtrohen në spitale, apo kur paraqiten për vizitë, fakt ky që është konfirmuar edhe nga drejtuesit e Urdhrit të Mjekut, të cilët po përballen çdo ditë më një fluks të lartë ankesash të depozituara nga pacientët. Pjesa dërrmuese e këtyre ankesave ka të bëjë me mungesën e kushteve dhe stafeve të specializuara për ofrimin e shërbimeve.

Ndërkohë ndryshimi i shpeshtë i drejtuesve të dikasterit drejtues të shëndetësisë vetëm sa e ka përforcuar këtë problem, për shkak se janë ndërmarrë shumë nisma, të cilat kanë mbetur në nivele deklaratash. Në një aktivitet të zhvilluar dje mbi akreditimin e institucioneve shëndetësore, presidenti i Urdhrit të Mjekut, Din Abazaj, është shprehur se, pavarësisht reformimit që vijohet në sistemin shëndetësor, realiteti tregon ende një situatë problematike. Sipas tij, problemet që duhet të merren në konsideratë janë të shumta, duke filluar jo vetëm me mangësitë që hasen me buxhetin që i është lënë shëndetësisë, por dhe me mungesën e specialisteve. “Çalon buxheti, kryesisht në organizim, çalojnë drejtuesit e aftë në sektorin e shëndetësisë, çalon kërkesa e llogarisë sipas hierarkisë, pra janë shumë gjëra që mungojnë", - deklaron Abazaj. Sipas tij, më problematike situata paraqitet në qendrën më të madhe spitalore në vend, atë "Nënë Tereza", e cila çdo ditë përballet me një fluks të lartë pacientësh, që paraqiten për bërjen edhe të vizitave më të thjeshta. Ndërkohë që i pranishëm në këtë aktivitet ishte dhe ministri Petrit Vasili, i cili ka pohuar se me hapat e rinj që po ndërmerren po synohet shmangia e këtyre problemeve.

Ankesat

Pacientët denoncojnë pranë Urdhrit të Mjekut probleme nga më të ndryshmet, duke filluar që nga kushtet që u ofrohet në spitale, të cilat lënë shumë për të dëshiruar.

"Denoncime kemi plot, por sistemin nuk jemi ne që e rregullojmë praktikisht. Sistemi rregullohet atëherë kur qeveria ta ketë shëndetësinë prioritetin e saj të parë. Pacienti, kur shkon në spital, është i detyruar të shkojë me çarçafët e tij, nuk gjen ushqimin e duhur, ujin e ngrohtë, banjat, për të cilat kanë nevojë, banjat janë kolektive, nuk gjen qetësinë fizike etj”, - ka pohuar Abazaj.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›