E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, hidhet në erë kryqi në varrin 120-vjeçar

08/12/2009  Iu vendos lëndë eksplozive, policia në kërkim të autorëve

Banorët: Të gjenden keqbërësit, nuk ndikon në ekuilibrat fetarë

SHKODER- Hidhet në erë kryqi, i vendosur në një varrezë të vjetër. Një sasi lënde eksplozive është vendosur në një kodër në hyrje të fshatit Kokëpapaj. Ka qenë ora rreth 23.30 e mbrëmjes së diel kur një sasi lënde plasëse ka shpërthyer në një kodër në hyrje të këtij fshati. Sipas informacioneve zyrtare të policisë së Malësisë së Madhe mësohet se lënda plasëse është vendosur pranë një varri të vjetër rreth 120-vjeçar, i cili i përkiste shtetasit Kolë Palushi ish-banor i vjetër i kësaj zone. Nga shpërthimi i eksplozivit është dëmtuar një kryq i lartë rreth 2 metra, i cili ndodhej pranë varrit. Deri tani policia nga ana e saj nuk jep asnjë informacion mbi autorët e mundshëm të kësaj ngjarje apo dhe motivet që mund të kenë çuar autorët për të ndërmarrë një veprim të tillë. Në lidhje me ngjarjen e mbrëmshme në fshatin Kokëpapaj nga ana e saj policia ka ngritur një grup pune, i cili po merret me hetimin e kësaj vepre penale. Deri tani dy janë pistat e mundshme që po hetohen nga ky grup hetimor mësohet nga burime brenda grupit, ai për motive pronësie, ose nga ndonjë person me probleme në shëndetin mendor. Gjithsesi deri tani me saktësi dihet vetëm akuza që është ngritur nga ky grup hetimor “Dhunim i varreve”. Në lidhje me këtë ngjarje vetë banorët e zonës janë shprehur të irrituar se një veprim i tillë mund të jetë bërë nga persona, të cilët kërkojnë të krijojnë përçarje fetare mes vetë banorëve të zonës. Banorët të irrituar u kanë kërkuar organeve të drejtësisë të zbardhin një ngjarje ë tillë tronditëse, e cila prek ekuilibrat fetarë dhe të arrestojnë autorin e këtij veprimi sa të ulët njerëzor, aq edhe të rrezikshëm për vetë banorët e kësaj zone. Gjithashtu ata kanë theksuar se nuk mund të kenë asnjë ndikim tjetër në marrëdhëniet mes dy komuniteteve fetare atij mysliman dhe katolik të zonës.

PRECEDENTËT

Më 10 janar 2006 persona të paidentifikuar sharruan njërin nga kryqet e ngritura në majën e një Kodre në lagjen “Rranza” të komunës së Bushatit. Autorët e kësaj ngjarjeje kanë sharruar me një sharrë hekuri njërën nga këmbët e kryqit të lartë rreth 6 m, në një lartësi pre 40 cm nga bazamenti i saj dhe më pas e kanë përkulur atë.

Më 25 shkurt 2007, në Kodrat e fshatit Plezhë, komuna Bushat bri rrugës Shkodër-Lezhë kryqi që ndodhej në majën e kësaj kodre ishte rrëzuar për tokë. Menjëherë banorët e kësaj zone janë ngjitur në majë të kodrës dhe kanë konstatuar se këmba mbajtëse e kryqit ishte sharruar rreth 40 cm mbi sipërfaqen e tokës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›