E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pacientët me kartela elektronike

SHKRUAN: Jonida Tashi 15-04-2011 11:14

Pacientët e regjistruar pranë mjekut të përgjithshëm dhe të familjes, në të gjitha qendrat shëndetësore të kujdesit parësor, shumë shpjet do të identifikohen me kartela elektronike. Drejtues të Institutit të Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor (ISKSH) bëjnë të ditur se është drejt përfundimit hedhja on-line e recetave nga vetë farmacitë. Ky projekt i inicuar nga ISKSH do të mundësojë që në kohë reale të ketë një transparencë rreth aktivitetit të farmacive, por edhe kontrolle më eficente ndaj barnave që jepen nga lista e rimbursueshme. Ndërkohë, ISKSH do të përfundojë së shpejti dhe projektin e përshkrimit të recetës elektronike për pacientët. “Një projekt i rëndësishëm, i cili është në fazën finale është dhe ai i hedhjes on-line të recetave nga vetë farmacitë, nëpërmjet programit të E-Farmaci. Ky projekt mundësoi lidhjen në kohë të shpejtë të rreth 92% të të gjithë shërbimit farmaceutik të kontraktuar në të gjithë vendin, duke siguruar në këtë mënyrë informacion në kohë reale dhe të përditësuar në lidhje aktivitetin e farmacive, me rimbursimin e medikamenteve të listës, duke realizuar në të njëjtën kohë kontrolle më eficente, shpejtësi në vendimmarrje dhe transparencë më të gjerë në transaksionet tona financiare me këta ofrues”, - pohon Naun Sinani, këshilltar në ISKSH. Një ndër projektet më madhore që ISKSH aktualisht po punon është ai i ndërtimit dhe funksionimit të sistemit të integruar të informacionit të skemës sociale të sigurimeve shëndetësore. Sipas ISKSH-së, veçanërisht ky projekt do të mundësojë përshkrimin elektronik të recetës së rimbursueshme nga ofruesit e kujdesit shëndetësor parësor. “Ky proces, në përfundim të tij, do të siguronte shpejtësi në shërbimin ndaj klientëve, do të bënte të mundur shkurtimin e kohës së plotësimit të dokumentacioneve nga ofruesit dhe përdorimin e saj në favor të pacientëve, do të mundësonte eliminimin e gabimeve në përshkrimin dhe dhënien e medikamenteve për pacientët, duke rritur në këtë mënyrë dhe shkallën e sigurisë në përfitimin e shërbimeve. Po ashtu, me anë të këtij projekti, në bashkëpunim dhe me aktorë dhe agjenci të tjera qeveritare, synohet një komunikim dhe informatizim modern i sistemit të kontributeve, duke i siguruar skemës në këtë mënyrë një informacion më të gjerë dhe real të kontribuesve të saj, dhe nga ana tjetër do të mundësonte identifikimin elektronik dhe ndjekjen e tyre në të gjitha hallkat e sistemit. ISKSH në bashkëpunim me fondacionin gjerman “Konrad Adenauer” organizuan dje konferencën me temë: “Modernizimi i sektorit të shëndetësisë: si të përfitojmë më shumë transparencë prej teknologjive të informacionit”. Në këtë konferencë merrnin pjesë drejtuesit e ISKSH-së, ministri i Inovacionit, Genc Pollo; përfaqësuesi i Komisionit të Shëndetësisë në Kuvend, Tritan Shehu; përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Financave etj.

Aktualisht, numri i personave të regjistruar elektronikisht pranë qendrave shëndetësore është rreth 2 milionë persona.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›