Grosistët e naftës-Bodes: Shfuqizo 2 udhëzime, janë të pavlefshme
Ministri e Financave duhet të ndryshojnë në mënyrë urgjente disa udhëzime që kanë të bëjnë me rregullimin e tregut të karburantëve, për shkak se ato tashme janë të pavlefshme që kur zinxhiri i tregtimit të këtij sektori është fiskalizuar. Ky është thelbi i një kërkese në formën e letrës, që Kryetari i Shoqatës së Hidrokarbureve, Luigj Aliaj, i ka dërguar dje ministrit të Financave, Ridvan Bode. Konkretisht bëhet fjalë për shfuqizimin e udhëzimeve numër 17, datë 13.05.2008 ”Për Tatimi mbi Vlerën e Shtuar”, Udhëzimi nr. 18, datë 18.06.2008 ”Për disa shtesa në Udhëzimin nr 17, datë 13.05.2008 ”Për Tatimi mbi Vlerën e Shtuar”. Kryesia e Shoqatës vlerëson se pavarësisht nga roli që luajtën nga momenti i hyrjes në fuqi e deri dje, me situatën e re të krijuar, që lidhet me fiskalizimin e plotë të të gjithë shoqërive që importojnë dhe tregtojnë hidrokarbur, këto udhëzime e kanë humbur rolin e tyre. Me përfundimin e fiskalizimit, xhiro e kompanive tregtuese matet online dhe kësisoj bëhet i panevojshëm përdorimi i pikës 9.4, i Udhëzimit nr 18, datë 18.06.2008 ”Furnizimi i karburanteve” paragrafi ”a”, ”regjimi fiskal”. Në zbatimin praktik, në shumë raste, caktimi i çmimit dhe vlerësimi i ”pikave të bardha”, sikur janë agjentë shitjeje për furnizuesit, është bërë dhe bëhet në mënyrë fiktive, pasi nuk ka kthim real provigjionesh, por vetëm ndryshim fiktiv dokumentacioni. Në kushtet e fiskalizimit të plotë është pa kuptim respektimi i këtij paragrafi të udhëzimit të mësipërm, argumenton në letrën e saj Shoqata e Hidrokarbureve. “Funksionimi dhe përcaktimi i çmimit, sipas pikave të referuara më sipër të udhëzimeve të cituara, sikundër e dini, ka sjellë përplasjen e subjekteve tona, edhe me Autoritetin e Konkurrencës së Republikës, i cili e quan çmim monopol, përcaktimin e çmimit në mënyrë vertikale nga pak furnizues në drejtim të konsumatorëve finalë”, sqarojnë në letrën e tyre drejtuar Bodes, grosistët. Sipas tyre, kjo është edhe arsyeja që Autoriteti i Konkurrencës mori vendimin nr.118, datë 29.05.2009 “Për disa rekomandime për aktet ligjore dhe nënligjore, që ndikojnë në nivelin e konkurrencës në tregun e shitjes me shumicë të karburanteve”, rekomandime të cilat përfshijnë edhe këtë shqetësim të shprehur nga ana e Shoqatës së Hidrokarbureve. “Duam të shpjegojmë se, në kushtet kur ka rritje çmimesh, ky kuadër ligjor ekzistues lë shteg për propagandë abuzive, sikur rritja e çmimeve vjen nga kjo e drejtë që u është dhënë importuesve e prodhuesve në caktimin e çmimit në mënyrë vertikale”, thuhet në letër. Për këtë arsye, Kryesia e Shoqatës së Shoqërive të Hidrokarbureve kërkon shfuqizimin e pikës 9.4 të Udhëzimit nr. 18, datë 18.06.2008, si dhe Udhëzimit nr. 17 e në vijim të Ministrisë së Financave. Shoqata shpreh besimin se, Ministria e Financave dhe Shërbimi Tatimor Shqiptar do të marrin në konsideratë këtë kërkesë, edhe për shkak të situatës së re të krijuar nga implementimi i procesit të fiskalizimit të kompanive hidrokarbure. Kjo kërkesë e grosistëve të naftës vjen në kohën kur çmimi i karburantëve në tregun vendas ka arritur vlerat më të larta historike në dy dekadat e fundit.