Pacienti me politraume ia del të mbijetojë, rast suksesi në Spitalin e Traumës

Një 55-vjeçar më dëmtime të shumta të shkaktuara pas rënies nga një lartësi e madhe, ja ka dalë me sukses pas tre ndërhyrjeve të një shkalle shumë të lartë vështirësie.
Dr. Geldon Fejzo tregon serinë e ndërhyrjeve që u kryen nga mjekët neurokirurgë të spitalit të traumës që sollën daljen nga koma të pacientit fillimisht deri në daljen e tij nga spitali pa paraliza dhe pasoja
“Pacienti paraqitet në Urgjencë me diagnozë politraumë, me trauma në disa pjesë të trupit, në kokë, shtyllë kurrizore, parakrahun, klavikulën dhe legenin. Në gjendje shumë të rëndë, në gjendje kome pacienti trajtohet fillimisht nga ekipi i Neurokirurgjisë për traumën karniale dhe më pas në një moment të dytë nga ekipi multidisciplinar i mjekëve neurokirurg, ortoped dhe reanimator u krye ndërhyrja për fiksimin e kolonës vertebrale, kravikulës dhe parakrahut. Në reanimacion bëhet e mundur nga ekipi I neurokirurgjisë vendosja e matjes së presionit të trurit, duke bërë të mundur trajtimin në mënyrë më optimale, gjë që solli në vazhdim daljen nga koma, shkëputjen nga aparaturati dhe fillimin e rehabilitimin me fizioterapi, në Spitalit Universitar të Traumës.”- tha Dr. Geldon Fejzo.
Ndërhyrjet u kryen me sukses, falë aftësive të mjekëve dhe materialeve mjekësore si vida titaniumi dhe aparat i vendosur në brendësi të trurit, të disponueshme në Spitalin e Traumës.
Ekipi i mjekëve është përgëzuar edhe përmes një falenderimi në rrjetet sociale nga minstrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
“Urime ekipit të Spitalit Universitar të Traumës, mjekët neurokirurgë, Dr. Fatos Olldashi, Dr. Geldon Fejzo, mjekët ortopedë, Dr. Viktor Marku, Dr. Drini Bardhi, Anestezist-Reanimatore Dr. Rexhina Sturçe, Flutura Balla ndihmës anestezist, Sokol Xhafaj dhe instrumentare Elsa Agalliu.”- shkruan Manastirliu.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh/