Turizmi në Tiranë, shtohen grupet që zgjedhin kryeqytetin shqiptar si destinacion. Magjepsen nga kultura

Tirana po shndërrohet gjithnjë e më tepër në një destinacion të preferuar për grupet e turistëve. Ata vinë jo vetëm nga Europa, por edhe përtej saj. Pjesa me e madhe kërkojnë të zbulojnë një kulturë të re.
Në fundjavë, kur qyteti boshatiset nga banorët e tij, bien ne sy grupet e turistëve që gëlojnë, veçanërisht në pedonalen pranë Kalasë së Tiranës, shpesh të shoqëruar nga guida lokale, që i njohin me historinë e vendit.
“Jemi një grup nga Izraeli. Këtu më pëlqeu shumë moti dhe njerëzit. Mësova për Besën e shqiptarëve. Nga thellësia e zemrës faleminderit. Shqipëria nuk është e zakonshme. Na pëlqyen njerëzit, ushqimi, peisazhi, historia. Kemi hapur një kapitull të panjohur në Europë. Është një kulturë krejt e ndryshme”.
Guidat turistike, që i shoqërojnë thonë se numri i grupeve që vinë në Shqipëri për turizëm është rritur ndjeshëm kohët e fundit. Ndikim ka edhe vendosja e linjave direkte të fluturimit, por edhe fakti se Shqipëria, në zemër të Europës, ofron për ta një përvojë të veçantë.
“Ne jemi egjiptianë, por punojmë dhe jetojmë ne Dubai. Vitet e fundit kemi dëgjuar për Shqipërinë, që është një vend me mot të mirë dhe natyrë të bukur. Gjetëm atë që prisnim. Natyra është shumë e bukur, Tirana shumë mikpritëse. Ushqimi dhe natyra ishin gjëja më e veçantë”.
“Vijmë nga Sindi, Australi. Menduam se Tirana ishte diçka ndryshe, ku nuk shkojnë shumë njerëz dhe vërtet është shumë bukur. Ka një eikulibër shume të mirë në turizëm. Nuk është e mbingarkuar dhe është lehtësisht e aksesueshme, dhe njerëzit këtu janë shumë të dashur“.
Që prej janarit, në Shqipëri kanë ardhur 1.4 milionë turistë të huaj, një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë vizituar edhe Tiranën.
Gazetare: Albana Agolli
/RTSH/