E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pack: EULEX, në anën e Kosovës

Kryetarja e Komisionit për Ballkanin Perëndimor në Parlamentin Europian Doris Pack ka deklaruar se EULEX-i s'është i paanshëm, pasi është në anën e qytetarëve që jetojnë në Kosovë. Ajo ka thënë se EULEX-i nuk është në Kosovë për të pranuar apo jo pavarësinë, pasi kjo varet nga shtetet individualisht. Sipas eurodeputetes Pack, bisedimet nuk kanë përfunduar dhe palët nuk e kanë thënë fjalën e tyre të fundit. Megjithatë ajo shpreson që shqiptarët dhe serbët në Beograd, të jenë konstruktivë. Pack është shprehur se cështja është se EULEX-i duhet të shpërndahet në të gjithë Kosovën dhe të përmbushë objektivat që i janë vënë, pasi janë në pikëpyetje paratë e taksapaguesve europianë. Pack theksoi se problemi qëndron se serbët e Kosovës e dëgjojnë shumë Beogradin dhe se ende është në fuqi Rezoluta 1244. "Në këtë kuptim duhet të gjejmë një urë lidhëse mes realitetit të Kosovës së pavarur dhe objektivave të 1244-ës. Kjo duhet bërë me ndihmën e OKB-së, teksa edhe BE-ja është e përfshirë në bisedime", tha Pack. Eurodeputetja beson se EULEX-i në dhjetor do të fillojë të jetë funksional në gjithë Kosovën, ndërkohë shpreson që mosmarrëveshjet të gjejnë zgjidhje deri në fund të nëntorit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›