Pack: Serbia ta ketë të qartë, Kosova do të bëhet anëtare e BE-së
Kryesuesja e Delegacionit të Parlamentit Evropian, Doris Pack ka deklaruar se autoritetet e Serbisë duhet ta kenë të qartë se Kosova një ditë do të bëhet anëtare me të drejta të plota, e Bashkimit Evropian. "Sidoqoftë Kosova një ditë do të bëhet anëtare e BE-së dhe kjo duhet të jetë e qartë për autoritetet e Serbisë.
Asnjë përpjekje, që kjo të pengohet, nuk do të lejohet. Mbi këtë çështje duhet diskutuar para hyrjes së Serbisë në BE. Pra, Serbia duhet të vazhdojë rrugën drejt BE-së duke mos harruar se një kriminel i luftës edhe më tutje është në liri dhe që në vitet e ardhshme, më shumë vëmendje t`i kushtojë nevojave të qytetarëve sesa politikanëve nacionalistë", ka theksuar Doris Pack. Sipas saj, nuk do të lejohet asnjë përpjekje që kjo të pengohet.
“Dhe për këtë arsye për këtë çështje duhet diskutuar para hyrjes së Serbisë në BE", është shprehur Pack në një intervistë. Ajo ka theksuar se Serbia deri në fund të këtij viti do të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, por jo edhe datën e fillimit të negociatave. Duke folur për marrëveshjen e Beogradit dhe Prishtinës për librat amzë dhe lirinë e lëvizjes, Pack tha se është mirë të shohësh se mund të arrihen zgjidhje për çështjet praktike ndërmjet dy palëve. “Kjo është në interes të të gjithë qytetarëve të rajonit, për serbët si dhe për të gjithë njerëzit në Kosovë pavarësisht kombësisë së tyre.
Ndërsa sa i përket mesazheve që dërgohen nga BE-ja që Serbia nuk mund të bëhet anëtare pa marrëdhënie të rregulluara me të gjithë fqinjët, përfshirë edhe Kosovën”, nënvizoi Pack për të shtuar se një nga kushtet për anëtarësim në BE janë marrëdhëniet normale dhe miqësore të të gjitha shteteve me fqinjët.