E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pack: Shqipëria meriton heqjen e vizave në 2010-ën

“Komisioni i jashtëm në parlamentin europian gaboi në qendrimin e tij ndaj Shqipërisë, pasi Shqipëria e meritonte liberalizimin e vizave”. Deklarata është e eurodeputetes Doris Pack, njëkohësisht zëvendës/ presidente e Komisionit për marrëdhëniet me Europën- Juglindore. Në një intervistë dhënë për një të përditshme shqiptare, zonja Pack shpjegon arsyet se përse vendi ynë e merion liberalizimin e vizave.
“Shqipëria ka bërë progres, ka arritur të lëshojë një numër të konsiderueshëm pasaportash biometrike, Bosnja nuk ka lëshuar asnjë të tillë, pra është shumë e vështirë të mos dallosh diferencat. Shqipëria në krahasim me Bosnjën ka patur shumë më tepër arritje dhe është një vend me një stabilitet shumë më të madh se Bosnja, që është ende një vend i lëkundur”, shprehet Pack në intervistën e dhënë për gazetën Metropol. “Gjithashtu Shqipëria në krahasim me Bosnjën kryeson përsa i përket plotësimit të kërkesave, ndaj shpresoj që me përfundimin e pajisjes së qytetarëve me pasaporta biometrike, Komisioni do të hapë dritën jeshile edhe për Shqipërinë, e parashikuar kjo në muajt e parë të vitit 2010.”
Ndërkohë e pyetur lidhur me korrektësinë e procesit të zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit, duke qenë një njohëse e mirë e politikës shqiptare, si dhe lidhur me bojkotin e seancave parlamentare të deputetëve të opozitës, Pack thotë:
“Zgjedhjet e 28 qershorit kanë qenë më të mirat që janë mbajtur në 20 vjet tranzicion. Çdo shqiptari iu dha mundësia të pajisej me dokumentin e identifikimit, dhe kjo është një meritë jo vetëm e qeverisë paraardhëse, por edhe e opozitës, e cila i mbështeti reformat elektorale. Ndaj dhe komuniteti ndërkombëtar i ka njohur këto zgjedhje si të lira dhe të ndershme. Opozita duhet të respektojë rezultatet e zgjedhjeve. Çdo akuzë duhet të jetë e provuar, asnjë deputet nuk duhet të largohet nga Parlamenti, pasi ai është votuar nga populli dhe paguhet për të punuar në Parlament. Megjithatë,- përfundon eurodeputetja,- problemet janë brenda socialistëve, pasi janë të ndarë në qendrime dhe një pjesë nuk e pranojnë koalicionin e zotit Meta me zotin Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›