E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pack per AS Te numerohet cdo vote. Protesta sjellje foshnjarake

Eurodeputetja Doris Pack e kishte pritur një situatë të tillë në Tiranë, si kjo që po ndodh aktualisht, pasi siç shprehet në një prononcim eskluziv për Albanian Screen, po ndodh ajo që vetë Pack i trembej, mospranim i rezultatit dhe protesta. Në këndvështrimin e eurodeputetes, gjithçka ndodh, pasi ka njerëz që nuk pranojnë që çdo votë duhet të numërohet.

“Çdo njeri që ka marrë pjesë në këto zgjedhje dhe ka votuar duhet të ketë të drejtën që t’i numërohet vota. Dhe nëse ka nevojë për rinumërim, unë mendoj se duhet bërë, jo pas një viti, por direkt pas zgjedhjeve. Duke bërë këtë gjë, atëherë do jemi në gjendje të shohim se çfarë do të ndodhë. Zgjedhjet kanë shkuar mirë për aq sa i kam ndjekur, dhe askush nuk mund të jetë i pakënaqur për rezultatin, PS mori më shumë qytete, PD më shumë vota”- tha Pack.

Por, duke u treguar edhe njëherë njohëse e mirë e çështjeve shqiptare, Pak shprehet se çështja kryesore mbetet Tirana.

“Rama gjithmonë ka kërkuar që të tregohet kujdes me çdo votë të hedhur, ndaj edhe tani duhet të pranojë që të gjithë të tregojnë kujdes me nxjerrjen e rezultatit. Unë mendoj se do të numërohet në mënyrë korrekte, por për aq sa i njoh unë shqiptarët, gjërat nuk duket se do të shkojnë edhe aq mirë”-tha ajo.

Protestat paszgjedhore për Doris Pack tregojnë se politikanët janë duke u sjellë në mënyrë foshnjarake. Sipas saj, ata duhet të tregohen të matur, për këtë edhe janë zgjedhur.

“Duhet të pranojnë numërimin dhe të vazhdojnë punën, për këtë janë zgjedhur, jo për të dalë në rrugë. Mendoj se është një turp për politikanët atje. Kështu kanë bërë edhe më parë dhe sado që unë e kam thënë shpesh, askush nuk dëgjon. Ndihem e frustruar nga politikanët shqiptarë atje, jo nga populli. Më vjen keq për njerëzit që janë shumë më të pjekur se politikanët”-theksoi ajo.

Eurodeputetja Doris Pack ka dhënë këto komente ndërsa ndodhet në Prishtinë së bashku me një delegacion të Parlamentit Europian.

Sala Mustafa

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›