E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia çon në Prokurori Ruçin e Braçen. Akuza: Erdhi referimi

19/05/2011  TIRANË- Vetëm pak orë, pasi Gramoz Ruçi të thërriste nënshtetasit shqiptarë drejt shesheve e rrugëve dhe disa ditë pasi Erion Braçe ta kishte nisur këtë thirrje, policia e Tiranës vendosi t’i kallëzonte dy deputetët në Prokurorinë e Tiranës, ku i akuzon se kanë konsumuar veprën penale të “Thirrjes publike për veprime të dhunshme”. Kështu, nëpërmjet zëdhënëses Alma Katragjini, policia e Tiranës njoftoi dje zyrtarisht se “Ditën e sotme, Strukturat e Hetimit dhe të Parandalimit të Krimit të Policisë së Kryeqytetit, pas deklaratave të bëra publike në mediat elektronike dhe të shkruar, referuan materialet në Prokurorinë e rrethit gjyqësor Tiranë, në ngarkim të shtetasve Erjon Braçe dhe Gramoz Ruçi, deputet të subjektit Partia Socialiste e Shqipërisë. Referimi në Prokurorinë e rrethit gjyqësor Tiranë, ndaj shtetasve të sipërcituar, do të kalojë për konsumim të veprës penale të “Thirrjes publike për veprime të dhunshme”, vepër penale e cila parashikohet nga neni 223 të Kodit Penal. Lajmin për këtë referim e kanë konfirmuar edhe burime nga Prokuroria e Tiranës, të cilat të kontaktuara në rrugë telefonike nga gazeta “Metropol” thanë se ditën e djeshme ka mbërritur referimi nga policia e Tiranës. Sakaq, organi i akuzës konfirmon se ky referim është protokolluar dhe ditën e sotme, pritet të regjistrohet zyrtarisht dhe të merret në shqyrtim nga prokurorët. Sakaq, këto ditë një pjesë e mirë e socialistëve duket se kanë bërë thirrje të njëjta, ku mjafton të përmenden edhe deklaratat e djeshme të deputetit Fatmir Xhafa, i cili bëri thirrje që populli të ngrihet në këmbë. Edhe vetë kryesocialisti Edi Rama në daljen publike bëri të njëjtën gjë.

Shumica e personave që u konfrontuan me blutë ishin policë bashkiakë

Policia: Distancohuni nga dhuna

Policia ka zbatuar vendimin e komisionit, larg të paautorizuarit

TIRANË- Situata e djeshme përballë KQZ-së ka angazhuar me dhjetëra efektivë policie, të cilët ishin të detyruar të zbatonin vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të mos lejuar hyrjen brenda këtyre ambienteve të personave të paautorizuar. Kështu, zyrtarisht njoftohet se “Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë në zbatim të ligjit “Për Policinë e Shtetit” janë marrë masa për ruajtjen e objektit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe sigurimin e rendit e të qetësisë. Pas grumbullimit para ndërtesës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, një grup personash, po ushtrojnë dhunë ndaj strukturave të policisë, të planizuar me shërbim për të garantuar sigurinë publike, duke plagosur disa prej tyre. Strukturat e Policisë së Shtetit kanë bërë të mundur identifikimin e këtij grupi personash, pjesa më e madhe e të cilëve ka rezultuar të jenë punonjës të Policisë Bashkiake. Policia e Shtetit fton pjesëmarrësit në këtë tubim të distancohen nga aktet e dhunës dhe të shmangin çdo lloj provokimi apo goditje ndaj forcave të policisë, të planizuara me shërbim për garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Garantojmë qytetarët se Policia e Shtetit është e angazhuar për të siguruar rendin dhe qetësinë për qytetarët dhe mbrojtjen e institucioneve dhe shtetit ligjor”.

Gatishmëria

Prej të paktën 10 ditësh policia e Tiranës ka përforcuar shërbimet dhe ndodhet në gatishmëri nr 1. Të angazhuar ndodhen rreth 1500 efektivë policie, duke nisur nga ata të komisariateve, për të vazhduar me ata të Patrullave të Përgjithshme dhe për të përfunduar me Forcat Speciale. Policia ka informacione të plota për situatën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›