Pacolli: EULEX-i krijon panik

Behgjet Pacolli, një biznesmen i kthyer në politikan, thotë se i ashtuquajturi plani prej 6 pikësh, që përfshihet në vendosjen e EULEX-it në gjithë territorin e Kosovës, ka krijuar një panik mes qytetarëve shqiptarë por ai mendon se kjo nuk duhet parë si diçka tragjike. "Ne sigurisht do të jem në mbështetje të EULEX-it që të kryen punën e vet sepse prej kësaj qytetari i Kosovës, Kosova do të përfitojë. Prej gjashtë pikëshit që është përfolur shumë tani besoj se një gabim që e ka bërë Qeveria e Kosovës, është dashtë që, kur ka ardhur letra e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon të diskutohet me qytetarët dhe t'u shpjegohet se çka përmban ky dokument. Është pritë deri në momentin e fundit, me c'rast edhe ky dokument menjëherë ka krijuar një panik tek qytetarët", deklaroi Pacolli në një intervistë për Zërin e Amerikës. Kryetari i Aleancës Kosova e Re, tha se e shikon të ardhmen e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë si një bashkëpunim shumë të mirë mes tyre. Pacolli ishte në Washington për të marrë pjesë në një takim të organizuar në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare ku ndodheshin figura të njohura të politikës amerikane dhe asaj ndërkombëtare.