E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pacolli e Kusari – Lila në Dubai për investime

Delegacioni i Qeverisë së Kosovës i kryesuar nga Zv.Kryeministri i Parë Behgjet Pacolli dhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari-Lila po merr pjesë në punimet e Konferencës së Tretë Vjetore për Investime të organizuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Tregtisë e Emirateve të Bashkuara Arabe në Dubai.

Siç njofton zyra për marrëdhënie me publikun e MTI, fillimisht, delegacioni i Kosovës është takuar me Ministrin e Ekonomisë së EBA, shkëlqesinë e tij Sultan Al Mansuri, me të cilin kanë diskutuar për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit midis dy vendeve. Zv.Kryeministri Pacolli dhe Ministrja Kusari-Lila kanë potencuar orientimin e Qeverisë së Kosovës drejt krijimit të një klime të favorshme biznesore për tërheqjen e investimeve të huaja me theks të veçantë në sektorët e procesimit të ushqimit, minierave dhe energjisë si dhe në sektorin e shërbimeve. Ata kanë treguar përparësitë krahasuese që ofron Kosova në raport me vendet tjera të rajonit siç janë popullësia e re, e edukuar mirë, pozita gjeografike strategjike si dhe kosto operative më e ulëta në Evropë.

Nga ana e tij, Sultan Al Mansuri ka potencuar orientimin pozitiv të EBA ndaj Kosovës duke filluar nga ndihma e ofruar gjatë viteve nëntëdhjetë e deri tek interesimi për bashkëpunim strategjik në fushën e ekonomisë posaçërisht në sektorët e bujqësisë dhe minierave e mineraleve. Dy delegacionet, janë pajtuar që një delegacion i niveli të lartë të EBA shumë shpejt të vizitoj Kosovën dhe do të shohin modalitetet për konkretizimin e bashkëpunimit ekonomik.

Më tej, në margjinat e konferences, delegacioni i Kosovës është takuar edhe me delegacione të shteteve tjera botërore me fokus primar nxitjen e bashkëpunimit ekonomik por edhe nxitjen e njohjeve të reja. Kështu, Zv. Kryeministri Pacolli dhe Ministrja Kusari-Lila janë takuar me Ministrin e Tregtisë dhe Industrisë së Sri Lankës, Ministrin e Tregtisë dhe Industrisë së Turkmenistanit, Ministrin e Tregtisë dhe Industrisë së Sudanit dhe me Ministrin e Tregtisë dhe Investimeve të Tanzanisë. Gjithashtu, Zv.Kryeministri Pacolli është takuar edhe me Ministrin e Tregtisë së Pakistanit me të cilin ka diskutuar bashkëpunimin ekonomik në fushën e tekstilit dhe energjisë. Me këtë rast, delegacioni i Pakistanit ka kërkuar nga Kosova ndihmë dhe ekspertizë në menaxhimin e rezervave të linjitit. z. Pacolli e ka shfrytëzuar këtë mundësi që të falenderojë Pakistanin për njohjen e shtetit të Kosovës.

Takimet e delegacionit të Kosovës po vazhdojnë edhe sot dhe nesër dhe kanë për qëllim promovimin e mundësive investive, bashkëpunimin ekonomik dhe nxitjen potenciale të njohjeve.

Ndryshe, Konferenca Vjetore e Investimeve (AIM) në edicionin e saj të tretë ka mbledhur rreth 80 delegacione shtetërore në nivel të kryeministrave dhe ministrave. Tema kryesore e konferencës këtë vit është “Ndikimet e investimeve të huaja direkte dhe perspektiva e rrijes ekonomike në tregjet në zhvillim”, e cila është organizuar nën patronatin e Shkëlqësisë së tij Sheikut Mohammed Bin Rashid Al Maktoum, Zv. President i EBA, Kryeministër dhe sundimtar i Dubait. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›