E Diel, 1 Nëntor 2026

Pacolli inauguron detyrën e tij në krye të shtetit të Kosovës

21/03/2011  Presidenti i Kosovës do të zhvillojë takime me krerët më të lartë të vendit

Presidenti i Kosovës, Behxhet Pacolli, do të inaugurojë detyrën e tij në krye të shtetit më të ri të Evropës: vizitën e tij të parë zyrtare do ta zhvillojë në Shqipëri. Kështu sot Pacolli do të jetë në Tiranë për një vizitë dyditore. Sipas axhendës zyrtare publikuar nga Presidenca, kreu i shtetit të Kosovës do të pritet paraditen e sotme në një ceremoni zyrtare në Pallatin e Brigadave nga homologu i tij shqiptar, Bamir Topi, me të cilin do të zhvillojë fillimisht një takim kokë më kokë, dhe më pas dy krerët e shteteve shqiptare do të dalin në një konferencë për shtyp. Gjithashtu, Presidenti Pacolli do të ketë takime të veçanta edhe me Kryeministrin Sali Berisha, si dhe me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Sot paradite, në kuadër të vizitës së tij, është programuar se Pacolli do ti drejtohet me një fjalë përshëndetëse deputetëve të Parlamentit shqiptar. Nga zyra e shtypit e Presidencës, mësohet se ndër të tjera Presidenti i Kosovës do të takohet dhe me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht kreu i opozitës shqiptare, Edi Rama, i cili në shenjë mikpritjeje do ti dhurojë atij dhe “Çelësin e qytetit”. Në ditën e dytë të vizitës së tij (nesër) në Shqipëri, Presidenti Pacolli do të takohet me kryetarin e Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet (PDIU), Shpëtim Idrizi, si dhe me kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Pas ceremonisë së vendosjes së kurorës për nder të të rënëve në monumentin “Nënë Shqipëri”, Presidenti i Kosovës do të jetë i pranishëm në një aktivitet tjetër, ku do ti dorëzohet çmimi “Honoris Causa”. Axhenda e tij vijon me pjesëmarrjen në punimet e Forumit të Biznesit Shqipëri-Kosovë, për tu pasuar nga një vizitë në qytetin e Krujës, ku do të vizitojë Muzeun Historik Kombëtar, Muzeun Etnografik dhe Pazarin e Vjetër. Presidenti Pacolli do të vendosë dhe një kurorë në vendvarrimin e Skënderbeut në qytetin e Lezhës.

Votimi

Pavarësisht mungesës së opozitës parlamentare në Kuvendin e Kosovës, votimi i Behxhet Pacollit në krye të shtetit më të ri të Evropës nuk do të ishte i thjeshtë. Deputetëve të pranishëm në seancën parlamentare, ku do të votohej Pacolli si President i Kosovës, iu desh të zhvillonin tri raunde votimi. Dhe vetëm pas votimit të tretë, Pacolli siguroi shumicën e nevojshme të votave për tu shpallur zyrtarisht dhe për të marrë mandatin 5-vjeçar si President i Republikës së Kosovës. Pacolli u zgjodh si kryetar shteti pas marrëveshjes qeverisëse mes partisë së tij, AAK-së dhe fitueses së zgjedhjeve elektorale, PDK-së së Hashim Thaçit.

Axhenda e plotë e vizitës dyditore në Shqipëri

E hënë, 21 mars 2011

Ora 11:30 - Ceremonia zyrtare, Presidenti Topi, pret homologun Behxhet Pacolli, President i Republikës së Kosovës në Pallatin e Brigadave.

Ora 12.40-13.00 – Konferencë e përbashkët për shtyp.

Ora 13:10-13:50 – Takim me Kryeministrin Berisha.

Ora 15:40-16.20 – Takim me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.

Ora 16:20-16-40 – Fjala përshëndetëse e Presidentit Pacolli në Parlamentin e Shqipërisë.

Ora 16:50-17:30 – Takim me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ku do të zhvillohet dhe ceremonia e dhurimit të “Çelësit të qytetit”.

E Martë, 22 mars 2011

Ora 09:00 – Takim me Kryetarin e PDIU-së, Shpëtim Idrizi, në hotel “Sheraton”.

Ora 09:40 – Takim me kryetarin e LSI-së, Ilir Meta në hotel “Sheraton”.

Ora 10:30 – Ceremonia e vendosjes së kurorës për nder të të rënëve në monumentin “Nënë Shqipëri”.

Ora 10:50 – 11:40 - Ceremonia e dhënies së çmimit “Honoris Causa” në UET, ku do jetë i pranishëm edhe Presidenti Topi

Ora 11.45 – Forumi i Biznesit Shqipëri-Kosovë, në Hotel “Sheraton” ku do jenë prezentë edhe biznesmenët nga Kosova

Ora 12:30 – Pacolli do niset drejt qytetit të Krujës , ku do të zhvillojë një vizitë në kalanë e këtij qyteti, si dhe do vizitojë nga afër Muzeun Historik Kombëtar, Muzeun Etnografik dhe Pazarin e Vjetër

Ora 14:35 – Presidenti I Kosovës do niset drejt qytetit të Lezhës ku do të vendosë kurora tek “Varri i Skënderbeut”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›