E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amnistia, Bode: Presim propozimet e opozitës

21/03/2011  Konfindustria: Falja fiskale duhet të nisë nga emigrantët

Ministria e Financave po punon për të përfunduar bazën ligjore për amnistinë fiskale brenda javës. Kryeministri Sali Berisha kërkoi që ligji të ishte gati deri më datë 22 mars, me qëllim që të miratohet në Këshillin e Ministrave dhe të kalojë për diskutim në Parlament. Por reagimi i opozitës është një faktor kyç për përfundimin e draftit nga ana e Ministrisë së Financave. Vetë ministri Ridvan Bode theksoi në tryezën e pak ditëve më parë për amnistinë fiskale se priten reagimet e opozitës në lidhje me këtë çështje. “I kemi ftuar disa herë, por nga ana e opozitës nuk ka deklarim të qartë, megjithëse shprehin dyshime jo do të deklarojnë zyrtarët dhe krimi i organizuar. Ne po deklarojmë se ato nuk janë pjesë e amnistisë. Do të donim të dëgjonim propozimet e tyre për t’i bashkangjitur në këtë proces, në mënyrë që të reflektohet edhe mendimi i tyre. Ndaj ne presim që deri në konkludimin e kësaj mase, opozita t’i bashkëngjitet këtij procesi”, - theksoi Bode. Për miratimin e ligjit, nëse do të përfshihet një amnisti e plotë do të duhen 3/5 e votave të deputetëve, ose 84 vota. Nëse opozita nuk do të jetë dakord me amnistinë e plotë të të gjitha detyrimeve të pashlyera të qytetarëve dhe biznesit, borxhet e vjetra, përjashtuar politikanët, si dhe legalizimin e aseteve siç është artikuluar tashmë, atëherë do të ketë vetëm versionin e faljes e kamatëvonesave të detyrimeve të pashlyera.

Konfindustria

Kthimi i emigrantëve me rastin e pushimeve të verës 2011 duhet të shoqërohet me një strategji të qartë ligjore dhe teknike të përgatitur me kohë nga ana e ekzekutivit, me qëllim që të bëhej e mundur ndërgjegjësimi, sqarimi dhe zbatimi në praktikë i faljes fiskale për qytetarët. Administratori i Përgjithshëm i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, ka theksuar se në radhë të parë amnisti fiskale duhet t’i drejtohet qytetarëve shqiptarë dhe kryesisht atyre, që jetojnë jashtë vendit. “U kërkua, që procesi i faljes fiskale në Shqipëri duhet të ishte konkurrues për nga lehtësitë me proceset e ngjashme të vendeve ku jetojnë në shumicë emigrantet tanë. Penaliteti përkatës të mos jetë më i lartë sesa 2% e shumës së përgjithshme të paraqitur dhe të hyrë në sistem nga qytetarët me banim brenda dhe/ose jashtë vendit”, - thekson në një deklaratë për shtyp Buxhuku. Sipas tij, do të ishte me ndikim të ndjeshëm për mirë në ekonominë kombëtare hyrja e flukseve financiare nga jashtë në kushtet kur kërkesa për likuiditet nga biznesi është tejet e madhe dhe pasojat e krizës botërore janë ende të prekshme. Buxhuku përmend nismën e fundit të qeverisë së Malit të Zi për shitjen e nënshtetësisë për qytetarët e huaj, që investojnë 500 mijë euro, vendimin e parakohshëm të qeverisë së Greqisë për fillimin e zbatimit me shpejtësi të amnistisë për hyrjet në sistemin bankar të depozitave nga vendet e treta, faljen e përsëritur e të njëpasnjëshme fiskale të qeverisë së Italisë.

Tryeza

Pak ditë më parë gjatë takimit me grupet e interesit, ministri i Financave, Ridvan Bode, theksoi se amnistia do të jetë e plotë dhe gjithëpërfshirëse. Sipas tij, kjo amnisti do të zbatohet brenda 6-7 muajsh, deri në përfundim të vitit buxhetor 2011. Pasi dëgjoi të gjitha kërkesat e grupeve të biznesit, Bode konkludoi se amnistia fiskale do të përjashtojë politikanët dhe pas amnistisë do të vendosen sanksione më të rrepta për ata që nuk derdhin detyrimet sipas ligjet e këtij vendi. Aktualisht ekziston një draft ligjor, i cili ka mbetur i papërfunduar prej vitit të kaluar, kur u hodh ideja për një amnisti fiskale si nga Kryeministri, ashtu edhe nga ministri i Financave Ridvan Bode. Por përplasjet për përqindjen që do të zbatohet për këtë çështje duket se krijuan probleme mes dialogut qeveri-biznes. Diskutimet u shtynë deri në tetor të 2010-ës dhe pas kësaj çështja u harrua.

Amnistia e plotë

Sipas ministrit Ridvan Bode janë dy koncepte që pritet të përfshihen në këtë amnisti fiskale, amnistia si e tillë dhe koncepti i faljes. “Falja është një nismë me një shumicë të thjeshtë në Parlament, që për detyrimet që ekzistojnë shteti heq dorë nga mbledhja e tyre, ndërsa amnistia ka të bëjë me amnistimin e veprës penale të fshehjes së taksave dhe mospagimit të të ardhurave të padeklaruara”, - theksoi ministri i Financave.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›