E Diel, 1 Nëntor 2026

Pacolli merr premtime për njohje nga Tajlanda

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli ka pritur në një takim një delegacion të shtetit të Tajlandës, të udhëhequr nga i dërguari i kryeministres së këtij vendi, Pichate Satirachaval.

Zëvendëskryeministri Pacolli ka informuar delegacionin nga Tajlanda për gjendjen aktuale politike në vend, duke theksuar nevojën që Kosova të lidhë marrëdhënie diplomatike me shtetin e Tajlandës. Në këtë kontekst, zëvendëskryeministri Pacolli ka informuar delegacionin tajlandez edhe me potencialet ekonomik që Kosova posedon, si vend strategjik i përshtatshëm për investitorët.

“Ne jemi shumë të interesuar që të kemi marrëdhënie diplomatike me Tajlandën. Ne tashmë jemi pjesë e shumë organizatave ndërkombëtare dhe jemi në rrugë e sipër për tu integruar edhe në OKB. Andaj besoj fuqishëm që një vendim i shtetit tuaj për njohjen e Kosovës i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon”, ka thënë zëvendëskryeministri Pacolli.

Në anën tjetër, Pichate Satirachaval, që njëherësh është edhe këshilltar i kryeministres së Tajlandës, ka thënë se shteti i tij është i interesuar që menjëherë të fillojë raportet ekonomike me Republikën e Kosovës. Ai ka thënë se menjëherë pas kthimit në Tajlandë, kryeministres së këtij vendi do ti raportojë për progresin demokratik që Republika e Kosovës ka shënuar në çdo aspekt, për të pasuar me shqyrtimin e njohjes së pavarësisë së shtetit tonë.

Delegacioni nga Tajlanda, ka ftuar zëvendëskryeministrin Behgjet Pacolli në një vizitë zyrtare në këtë shtet të Azisë Juglindore./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›