E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pacolli mungoi në mbledhjen e Qeverisë

Nga Express më 18 prill 2011 në ora 18:26

Në mbledhjen e parë të Qeverisë së Kosovës prej që është emëruar edhe Behgjet Pacolli zëvendëskryeministër i parë, u vërejt mungesa e këtij të fundit. Është raportuar se Pacolli mund të tërhiqet nga ky post, për shkak të përzierjes së kompetencave në politikën e jashtme ndërmjet presidentes, atij si zv. kryeministër dhe ministrit të Punëve të Jashtme.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, i cili nuk ka qenë në gjendje të saktësojë se kush është zëvendëskryeministër i parë, ka thënë se nuk ka informacione nëse Pacolli do të tërhiqet.

“Unë nuk i kam informatat e tilla. Kryeministri është ai që i emëron veprimet e tilla. Cilindo veprim që e merr kryeministri, është vendim ligjor, kushtetues dhe respektohet”, ka thënë Kuçi.

Mungesën e Pacollit në këtë mbledhje të Qeverisë, Kuçi e ka arsyetuar me mungesën e tij fizike në Kosovë.

“Për aq sa kam informacione, ai fizikisht nuk është në Kosovë”, është shprehur shkurt ai.

Pas humbjes së postit të presidentit, të cilin e ushtroi për 35 ditë, por që Gjykata Kushtetuese vendosi se procedura e zgjedhjes së tij ishte jokushtetuese, Pacolli iu kthye ekzekutivit. Ai ruajti marrëveshjen e koalicionit me PDK-në, duke arritur konsensus për zgjedhjen e presidentes Atifete Jahjaga, ndërsa u emëruar zëvendëskryeministër i parë për marrëdhënie ndërkombëtare, lobim dhe investime të huaja.

Duke pasur parasysh faktin se sipas Kushtetutës, presidentja është bartëse e politikës së jashtme, Ministria e Punëve të Jashtme është hartuese dhe ekzekutuese e kësaj politike dhe duke pasur parasysh faktin se po ashtu edhe zëvendëskryeministrja Edita Tahiri është e emëruar për politikë të jashtme, Pacolli ditë më parë ka kërkuar qartësim të kompetencave të tij.

Përfaqësuesit e koalicionit qeveritar nuk e shohin këtë si përzierje të kompetencave, por përkundrazi si një mundësi për krijimin e një bërthame të fortë të politikës së jashtme të Kosovës. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›