Na shkatërroi kanceri
Me fillimin e funksionimit të Institutit Onkologjik është rritur dukshëm edhe numri i pacientëve të diagnostikuar me sëmundjen e kancerit. Në këtë institut, përveç trajtimit me radioterapi, pacientët i nënshtrohen edhe intervenimit kirurgjik. Sipas drejtuesve të institutit, numri i pacientëve sillet 60-70 brenda ditës, pjesa më e madhe e të cilëve marrin edhe kemioterapinë.
Ushtruesja e detyrës së shefes së Departamentit të Onkologjisë, Mejreme Krasniqi-Maloku ka thënë për Kosovapress se është rritur dukshëm edhe numri i pacientëve onkologjikë, për shkak se tani aty vijnë edhe pacientët e pjesëve tjera të gastrointestinales, karcinomave etj.
“Rreth 50 pacientë brenda ditës marrin kemioterapi dmth. bëhet aplikimi i kemioterapisë dhe hormonoterapisë në këta pacientë”, ka thënë Krasniqi-Maloku.
Sipas Krasniqi-Malokut, mungesa e kuadrit vazhdon të jetë ende problem në këtë institut. Numri aktual i pacientëve është i papërballueshëm për stafin shumë të vogël të profesionistëve, respektivisht vetëm një onkologu dhe një specialist voluntar.
“Me të vërtetë është ngarkesë shumë e madhe, mirëpo vullneti dhe dëshira për të bërë diçka në këtë fushë, e cila ka qenë pothuajse problemi më i madh në shëndetësinë kosovare, më bën që të sakrifikoj edhe shëndetin, kohën dhe të gjitha dhe të arrij në këtë nivel”, është shprehur Krasniqi-Maloku.
Ndonëse faktori etiologjik mbetet edhe më tutje i panjohur, Krasniqi-Maloku thotë se faktor rreziku në të shumtën e rasteve është duhani dhe lloji i të ushqyerit. Përndryshe, faktorët e rrezikut, sipas saj, ndryshojnë varësisht nga lokalizimi i kancerit.
Sikurse edhe për sëmundjet tjera, në mënyrë që të evitohet më e keqja, ajo preferon kontrolle të hershme, atëherë kur edhe trajtimi dhe jetëgjatësia e pacientëve do të ishte në nivel më të kënaqshëm.
Sa i përket furnizimit me citostatikë, terapi e domosdoshme për të sëmurët me kancer, Krasniqi-Maloku thotë se 60-70 për qind e nevojave plotësohen nga Ministria e Shëndetësisë, ndërkohë që furnizim më të mirë shpreson se do të kenë pas gjashtëmujorit të parë të funksionimit të institutit, kur do të definohet numri i pacientëve onkologjikë dhe nevojat për citostatikë.
“Një numër i madh i pacientëve marrin vetëm trajtimin shtesë pas operacionit, deri në 30 mijë euro, të cilat sigurohen nga MSH”,.
Fakte
Aparaturat për radioterapi në Institutin e Onkologjisë ekzistojnë që 3-4 vjet, por Mejreme Krasniqi-Maloku është e pakënaqur edhe me angazhimin institucional, sepse atyre aparaturave të vendosura u del garancia, ndërsa pacientët shpeshherë me vetëkontribut, por edhe me kontribut të Ministrisë së Shëndetësisë, dalin jashtë vendit.
“Në vend që ky shërbim të realizohet këtu, pasi që janë aparaturat dhe janë mjaft të shtrenjta, një pjesë e madhe e buxhetit ndahet për pacientët të cilët kanë nevojë për trajtim shtesë për radioterapi jashtë vendit”.
Ndërkaq, se sa është e vështirë të jetohet me kancer, tregojnë fytyrat e zbehta dhe vuajtjet fizike e shpirtërore të pacientëve që trajtohen në një nga dhomat e këtij departamenti. Pacientja Sevdie Fazliu ka thënë për Kosovapress se qysh në vitin 2006 është diagnostikuar me kancer.