Pacolli përsëriti idenë e tregut të përbashkët Kosovë-Shqipëri

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli, nuk ka hequr dorë nga ideja për krijimin e një tregu të përbashkët ekonomik në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.
Në këtë intervistë për “Epokën e re” ai ka treguar se shumë shpejt këtë ide do ta prezantojë edhe para kabinetit qeveritar, që pastaj të fillojë zbatimi i këtij projekti. Pacolli ka thënë se për t’u realizuar kjo ide ai e ka marrë mbështetjen edhe të kryeministrit Hashim Thaçi dhe të kryeministrit në ardhje të Shqipërisë, Edi Rama. “Këtë çështje e kam diskutuar edhe me aktorët kryesorë, z. Thaçi e Rama, të cilët më kanë përkrahur. Tani Qeveria e Kosovës duhet të jetë e gatshme t’ia fillojë kësaj iniciative”, ka thënë Pacolli.
Pacolli ka deklaruar se mosbashkëpunimi i deritashëm ekonomik mes këtyre dy shteteve ka ndodhur për shkak të mungesës së vizionit dhe vullnetit politik. Sa iu përket zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit, Pacolli ka bërë me dije se AKR-ja do të garojë me një program konkret ekonomik që i dedikohet mirëqenies së qytetarëve. Ai ka thënë se partia e tij në këto zgjedhje do të garojë e vetme, kurse ka bërë me dije se mundësinë e bashkëpunimit me ndonjë parti do ta shqyrtojë tek pas rezultateve preliminare të zgjedhjeve.
Pacolli ka paralajmëruar se gjatë fushatës së këtyre zgjedhjeve me kritika nuk do t’i kursej as kryetarët e komunave që vijnë nga radhët e PDK-së. Por, nuk ka dhënë përgjigje të prerë nëse një përplasje e tillë do të mund ta lëkundë koalicion qeverisës me PDK-në./Indeksonline/